Politika “Nuk e refuzoj mbrojtjen, por…”, debate mes prokurorëve dhe avokateve në seancën...

“Nuk e refuzoj mbrojtjen, por…”, debate mes prokurorëve dhe avokateve në seancën ndaj Berishës

Teksa pritet që seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha të rifillojë në orën 15:00, mësohet se brenda ambienteve të Gjykatës së Posaçme ka pasur debate.

Rabie Cenalia, njëra nga avokatet e caktuara dje nga shteti për Berishën, ka kërkuar dy ditë kohë për t’u njohur me dosjen prej 199 faqesh.

Prokurorët e SPAK, mësohet se kanë deklaruar se do të njoftojnë Dhomën e Avokatisë se Cenalia ka refuzuar të jetë palë mbrojtëse për kryedemokratin. Kjo gjë është replikuar nga avokatja e cila është shprehur: “Nuk kam refuzuar mbrojtjen, më keni caktuar mbrëmë në orën 20:00, ndaj dua kohën e nevojshme për të studiuar dosjen”.

Në një prononcim shumë të shkurtër për mediat, Cenalia thjesht pohoi se seanca ishte shtyrë për në orën 15:00, duke mos dhënë më shumë detaje. Ndërsa kolegia e saj, avokatja Jalldiz Kastrati pohoi se ka pranuar të jetë palë mbrojtëse për Berishën.

Ende nuk dihet se si do mbyllet kjo seancë e tretë ndaj Berishës, por pritet të ketë një verifikim dhe nga ana e tij sa i takon dy avokateve kryesisht.