Bota “Nuk jam hero”, flet njeriu që i hoqi pushkën nga dora terroristit...

“Nuk jam hero”, flet njeriu që i hoqi pushkën nga dora terroristit në Zelandën e Re

Një 48-vjeçar që arriti t’i hiqte pushkën nga dora terroristit Brenton Tarrant dhe e detyroi të largohej nga xhamia ku kreu masakrën e tmerrshme në Zelandën e Re, ka folur për herë të parë për mediat.

Abdul Aziz, me origjinë nga Kabuli, Afganistan, kreu një gjest heroik, por nuk e konsideron veten si të tillë.

Ai foli për mediat vendase dhe tregoi se si u përball me Tarrant ndërkohë që katër djemtë e tij ndodheshin brenda në xhami dhe i bënin thirrje që të kthehej brenda. Aziz tha se mori një armë të cilën atentatori e kishte hedhur në tokë por kur u përpoq të qëllonte zbuloi se ishte pa fishekë.

Më pas, Tarrant shkoi te makina e tij për të marrë një tjetër armë. “Sapo ai u fut në makinë i mora armën dhe ia përplasa në dritare duke e thyer”, tha Aziz. “Aty ai u tremb dhe i dha gaz makinës e u largua”.

Më pas, policia arriti ta kapte atentatorin duke e tërhequr nga makina me forcë.

Edhe pse ishte dëshmitar i një tragjedie të këtyre përmasave, Aziz thotë se Zelanda e Re është një prej vendeve më të bukura që ka parë. “Kur u përballa me të m’u duk sikur kisha shtypur pilotin automatik. Zoti nuk mendonte se ishte dita ime për të vdekur”, tha ai.