Lirimi i disa të burgosurve parashikuar në amnistinë e Ministrisë së Drejtësisë, nuk do të ndodhë përpara zgjedhjeve.
Pavarësisht kërkesës së Etilda Gjonajt për ta risjellë në Kuvend amnistinë, socialistët kanë diskutuar për këtë çështje, dhe burimet i thanë Report TV se është vlerësuar se lirimi i të burgosurve përpara zgjedhjeve, mund të sillte një impakt negativ në fushatë. Gjithsesi, ministrja e drejtësisë do t’ia lërë topin në fushë parlamentit.
“Kjo është një çështje që i mbetet parlamentit. Ne do ta bëjmë gati dhe në momentin që parlamenti do ta marrë në shqyrtim, do të jetë gati, ajo amnisti do të vijë me qëllim që mos të merret si një instrument që të ndikojë në fushatë elektorale. Besoj që do të biem dakord nëse amnistia do të jetë e nevojshme për tu bërë në këtë moment, ajo do të sillet nga qeveria. Nëse do të konsiderohet që amnistia në këtë moment mund të përbëjë një element që mund të konsiderohet pjesë e ndikimit në fushatë elektorale do të bëhet sapo të mbarojnë zgjedhjet“, tha Gjonaj.
Ndërkohë, gjatë raportit në Komisionin e Integrimit, Etilda Gjonaj tha se përpara vendimit të BE-së për Shqipërinë, do të jetë funksionale gjykatë Kushtetuese.
“Të gjitha institucionet e reja që ishin planifikuar për tu ngritur, disa janë ngritur dhe pjesa janë në proces. Deri në qershor 2019 ne do të kemi gjykatën kushtetuese të plotësuara me vakancat, do të kemi edhe Inspektorin e lartë të Drejtësisë”, u shpreh Gjonaj.