Aktualitet Nuk ka det, por është shpallur vendi europian me ujin më të...

Nuk ka det, por është shpallur vendi europian me ujin më të pastër të plazheve

Cilësia e plazheve në Europë është përmirësuar ndjeshëm në dekadat e fundit. Sipas një raporti të Agjencisë Europiane të Ambientit, 85% e plazheve në kontinentin tonë tashmë renditen si “të shkëlqyera”.

Në raportin vjetor të cilësisë së plazheve janë monitoruar 22 mijë zona detare, liqenore dhe lumore në vendet e Bashkimit Europian, plus në Shqipëri dhe Zvicër, ndërsa është lënë jashtë Mbretëria e Bashkuar, për shkak se tashmë ka dalë nga unioni.

Vendi më i mirë për cilësinë e ujit është shpallur Austria, një shtet që nuk laget nga asnjë det, por gëzon liqene të mrekullueshme. E pikërisht këto liqene kanë marrë në 97,7% të rasteve vlerësimin “të shkëlqyer”.

Menjëherë më pas në renditje vijnë vendet mesdhetare, si Malta, Greqia, Kroacia dhe Qipro. Ndërkohë, Franca, një prej vendeve më të shquara për rivierën e saj, ka pësuar rënie në renditje, ndërsa vendin e fundit për cilësinë e ujit në plazhe e mban Polonia, ku vetëm 44,5% kanë marrë vlerësim pozitiv.

Raporti u përpilua pas një pune të autoriteteve lokale dhe kombëtare të shteteve, të cilat morën mostra të ujit nga plazhet e tyre gjatë pikut të sezonit dhe i analizuan për të gjetur lloje të ndryshme bakteresh që tregojnë ndotjen për shkak të përzierjes me ujërat e zeza apo të ujërave që përdoren për bagëtitë.

Edhe Shqipëria mes shteteve me cilësinë më të lartë të ujit

Shqipëria bën pjesë në shtetet me cilësi të lartë të ujit të plazheve, lumenjve e liqeneve sipas raportit të Agjencisë Europiane të Mjedisit(EEA), të publikuar për vitin 2021.

Raporti thekson se Shqipëria renditet krah shteteve me cilësi shumë të mirë të ujrave, me 68.1%, duke e kaluar mesataren europiane.

Sipas të dhënave të publikuara, në Shqipëri pjesa dërrmuese e plazheve dhe ujrave të lumenjve e liqeneve kanë cilësi të shkëlqyer.

23.5% e cilësisë së ujrave është e mirë, 1.7% është e mjaftueshme dhe vetëm 6.7% është cilësi e dobët.

10 vendet me cilësinë më të lartë të ujërave të plazheve

1- Austria (97,7%)

2- Malta (96,6%)

3- Greqia (95,8%)

4- Kroacia (95,7%)

5- Qipro (93,3%)

6- Danimarka (91,9%)

7- Gjermania (90,4%)

8- Bullgaria (89,8%)

9- Lituania (89,2%)

10- Portugalia (88,5%)