Kryeministri Edi Rama ka ftuar në podcast këtë të shtunë ish-deputetin e PD-së, Mark Markun. Gjatë bisedës, kryeministri Rama i ka kërkuar ndjesë për një arsye që ka thënë se sot nuk e bën krenar e aq më tepër që e ka nderuar me praninë e tij sot.
Ndjesa e kryeministrit lidhet me fushatën ku Marku ishte kandidat për deputet i PD-së në Lezhë teksa Rama është shprehur se ia ka thënë emrin Mark Marku me njëfarë ironie që nuk e bën krenar. Më tej, Rama e ka pyetur ish-deputetin e PD-së për emrin dhe ky i fundit i ka treguar se e ka trashëgim nga gjyshi.
Pjesë nga biseda:
Edi Rama: Tani të detyrohem një ndjesë për një arsye që nuk më bën krenar sot dhe aq më tepër që më ke nderuar me praninë këtu, por ta bëj ndjesën përpara se të bëj pyetjen: Në një moment të barrikadimeve gjatë fushatës së fundit, mos gabohem, ti ishe kandidat në Lezhë dhe unë në mitingun e Lezhës ta thoja emrin Mark Marku, por me njëfarë ironie që nuk më bën krenar sot por ndërkohë kam dëshirë të të pyes për këtë, për emrin Mark Marku?!
Mark Marku: Në Mirditë zakonisht dikush merr emrin e gjyshit. Gjyshi ka pasur emrin Mark dhe është edhe një problem që shumë mirditorë, por edhe shumë shqiptarë kanë në dokumentacion, që nuk mbahet një mbiemër stabël, por mbiemri shkon duke u ndryshuar, për shembull Mark Marku e jo Mark Pjetër Prenga siç e kishte pasur im atë dhe po të shkoje kështu në linjë të vazhdueshme, po të respektohej e njëjta traditë, i bie që vazhdimisht ti të jesh përsëritje e mbiemrit të gjyshit. Ta kesh si mbiemër dhe kur kam ardhur në Tiranë, po themi pasi kisha botuar ciklin me poezi një mik im më tha kështu tha Mark Marku tha, ti qenke i ri tha, unë sa kisha mbaru gjimnazin. Unë të mendoja një 50 vjeç, 60, kështu edhe kishte edhe një përfytyrim epik që unë s’ia plotësoja fare, ishte zhgënjimi total në kuptimin dhe më tha; Pse nuk e ndërron emrin? Thashë po emri pse të ndërroj thashë se nuk e kuptoj. – Po jo, tha se me këtë emër, tha do paragjykohesh e tjerë e tjerë, emrin s’kam pse ta ndërroj, thashë nuk është se më pëlqen, as s’më pëlqen se nuk ka lidhje me vetë personin emri, aq më tepër kur s’e vë vetë emrin e vet, por thashë nuk mendoj thashë, pastaj thashë më duket normal thashë jam mësuar me atë, dhe do më duket sikur s’jam unë ai personi në momentin që do ta thërrasin.
Edi Rama: Interesant, unë nuk e dija këtë të transformimin të emrit të gjyshit, gjithmonë mbiemër.
Mark Marku: Gjithmonë shkon kështu dhe problemi ka qenë në gjendje civile, sepse gjendja civile regjistronte sipas parimit një mbiemri, por x për një familje, apo për trungun familjar. Kurse në dokumente shkollore ndryshonte dhe mua më ndodhi kur shkova në Francë për herë të parë për studime, nuk e evidentuan atë ndryshimin, sepse kisha dy gabime, ishte pasaporta, ishte me mbiemër tjetër, dokumentet shkollorë, të gjithë me Mark Marku dhe kisha edhe një gabim në muajin në ditëlindjes 25/06–26/05, në Francë nuk e kapën. Kur shkova pastaj në Itali, për në Romë për studime bëra regjistrimin dhe krye sekretarja në momentin që shkova për të marrë diçka tha: Hajde, hajde pak këtu, se ke një problem ti. – Çfarë problemi kam i thashë? – Tha, po ty nuk të përputhet. Nuk të përputhen dokumentat shkollore me emrin dhe mbiemrin e dokumentat e shkollës, dëftesat e gjitha, diplomat me pasaportën, kështu që si do ja bësh, se është problem i madh. Plus që kishte kap edhe dallimin në ditëlindje.