Komisioni Hetimor i ngritur për shkeljet e Presidentit Meta do të kërkojë përsëri opinionin e Komisionit të Venecias për veprimet e Presidentit, në lidhje me vendimin e tij për të mos organizuar ceremoninë e betimit të Arta Vorpsit në postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Kmisioni vendosi t’i drejtohet Venecias me 5 pyetje.
5 pyetjet
1- A mundet presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit gjyqtarit kushtetues kur ai në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar?
2 -Emërimi i gjyqtarit kushtetues tej afatit 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar nga organi kompetent i KED-së a cënon parimin e gjykatës së krijuar me ligj?
3- A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar ky gjyqtar.
4- Nëse presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit Kushtetues nisur nga solemniteti si akt cfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë.
5-Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standarteve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës.
Gjatë mbledhjes, komisioni vendosi edhe të thërrasë Ardian Dvoranin si dëshmitar. Ndaj tij, Presidenti ka ngritur një padi pasi e akuzon se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e të dyja listave për plotësimin e njëkohshëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e opozitës u shprehën kundër vendimit për shtesën e objektit të hetimit ndaj Presidentit. Deputeti Alban Zeneli e quajti këtë një lojë politike mes shumicës dhe Presidentit, por ranë dakord që komisioni t’i drejtohej përsëri Venecias.
Sesioni i radhës së Komisionit të Venecias do të mbahet më 20 mars, çka me siguri do të bëjë që Komisioni Hetimor të kërkojë një tjetër shtyrje të mandatit të tij, pasi i përfundon më 8 mars.