Aktualitet Nuredin Dumani jetonte me qira, flet komshia: Para 3 ditësh i trokita...

Nuredin Dumani jetonte me qira, flet komshia: Para 3 ditësh i trokita në derë, i thashë mos bënte zhurmë

Ky është pallati në lagjen “Apollonia” të Fierit ku i shumëkërkuari nga policia shqiptare Nuredin Dumani jetonte në një banesë me qira në katin e 4-t.

Ai u kap mbrëmjen e së martës gjatë një aksionit të policisë. Dumani u gjet brenda kësaj banese i plagosur, pasi disa orë më parë i ishte bërë atentat në Papër të Elbasanit, duke udhëtuar me automjet.

Sipas deklaratave të fqinjëve, Dumani e kishte marrë me qira këtë banesë para 1 jave.

Një banore thotë se pak ditë më parë i kishte shkuar Dumanit tek banesa dhe i kishte kërkuar që të mos bënin zhurmë.

“Unë banoj në kat të tretë, ngjarja ka ndodhur në kat të katërt. Vetëm dëgjoja mbrëmë policët që i binin derës me mjete të forta për të hapur derën. Tmerr, u tmerruam. Ata rrinë me qira në fakt. U trokita para 3 ditëve, mos më bëni zhurmë u thashë se jam me tension nuk duroj dot. Na fal, na thanë. Ai që doli ishte rreth 45 vjeç. Pastaj më erdhi për së dyti e më trokiti mua. Unë thashë po ky pse më trokiti prapë? Tha, dëgjo nuk jam unë që bëj zhurmë, është ai lart tha. Epo mirë na fal i thashë unë, që të bezdisa”, tregon një banore e këtij pallati.

Nuredin Dumani ishte një nga më të kërkuarit e policisë, pasi konsiderohet si i përfshirë në shumë ngjarje kriminale dhe vrasje të ndodhur vitet e fundit. Ai konsiderohet edhe si rival i Talo Çelës, një tjetër i shumëkërkuar nga policia shqiptare, i cili vijon të jetë ende në arrati. /Tv Klan