Covid-19 ka prekur rëndë stafin shëndetësor dhe mund të ketë vrarë mes 80 mijë dhe 180 mijë punonjës, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndërsa kritikoi pabarazinë në shpërndarjen e vaksinave, kreu i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se stafi shëndetësore duhet të kishte përparësi në vaksinim. Më pak se 1 në 10 punonjës të shëndetësisë janë vaksinuar plotësisht në Afrikë, ndërsa në vendet me të ardhura të larta raporti është 8 me 10.
“Të dhënat nga 119 vende sugjerojnë se mesatarisht, 2 në 5 punonjës të shëndetësisë në rang global janë të vaksinuar plotësisht. Por, natyrisht, kjo mesatare maskon dallimet e mëdha rreth rajoneve dhe grupimeve ekonomike”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Më herët, një tjetër zyrtar i lartë i OBSH paralajmëroi se mungesa e vaksinave në vendet e varfra mund ta zgjaste pandeminë edhe me një vit. Në mbledhjen e radhës, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje 20 vende më të pasura në botë, që mbajnë një samit javën e ardhshme të përshpejtojnë dhënien e donacioneve të vaksinave në hemisferën jugore, ku fushata e imunizimit po ecën me ritme shumë të ngadalta.
“Nëse në samitin e G20-ës në Itali, vendet më të pasura nuk do të mobilizohen menjëherë për dërgimin e dozave te më të pavaksinuarit dhe të pambrojturit në botë, të gjithë do të mbajmë peshën e turpit për shmangien e detyrave epidemiologjike, ekonomike dhe etike”, tha Gordon Brown, ambasador për Financimin e Shëndetësisë Globale.
Drejtori i emergjencave në OBSH, Mike Ryan paralajmëroi se heqja e kufizimeve dhe qëndrimi më i madh në ambientet e mbyllura me ftohjen e motit, po nxit rritje të infektimeve rreth Europës.