Një operacion masiv për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike ka mundur të sekuestrojë 685 kg kanabis sativa, dhe të bllokojë një mjet lundrues me drogë, e cila do të trafikohej drejt Italisë.
Në operacion morën pjesë forca të shumta policore, si Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Reparti Delta Force dhe Guardia di Finanza.
Gjatë mesnatës, pas një pune hetimore disa ditore mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur gjetja e një gomoneje me drogë, e fshehur në pyll pranë Lumit të Vjosës, rreth 1 km larg grykëderdhjes së saj, ku brenda së cilës gjendeshin pako dhe çanta të cilat përmbanin lëndë narkotike të dyshuar si Cannabis Sativa.
Në këtë mjet dhe pranë tij të hedhura në tokë janë gjetur gjithsej 67 pako dhe 4 çanta, të cilat pas peshimit kanë rezultuar me peshë të përgjithshme prej 685 kilogramë Cannabis Sativa që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.