Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim së paku katër zyrtar të Policisë së Shtetit dhe thotë se ka në hetim disa të tjerë, në atë që ajo, po e konsideron si një hetim të thellë të lidhjeve të policisë me trafikun e drogës.
Katër zyrtarët e parë të shpallur në kërkim, nuk janë dorëzuar ende dhe kjo është një shenjë e keqe për raportin e tyre me drejtësinë.
Por ndërsa Prokuroria është duke bërë punën e saj në këtë drejtim, opozita dhe një pjesë e shtypit po përpiqen të jenë herë një hap para, e herë shpjegues ëndrrash me kriminelë, duke shtuar jo vetëm kakofoninë rreth kësaj teme, por duke dëmtuar ndoshta dhe një punë të mirë që prokuroria mund të bëj në këtë drejtim.
Ka së paku 48 orë që më shumë flet opozita dhe disa gazetarë që rrinë në zyrë të prokurorëve se sa vet prokuroria . E gjithë kjo e përfshin padrejtësisht prokurorinë në betejën politike për hallet që ka opozita.
Halli real i opozitës deri javën e pare të Dhjetorit është mos zëvendësimi i kryeprokurorit sipas asaj që parasheh Kushtetuta, kurse puna reale e prokurorisë kundër zyrtarëve të policisë është detyrë e tyre të cilën duhet ta kishin kryer me kohë.
Futja e opozitës si pykë mes hetimeve të prokurorisë dhe hallit të saj, është i vetmi dëm real në betejën e pastrimit të lidhjeve të zyrtarëve me trafikun e drogës.
E sigurt në këtë histori është se prokuroria dhe policia po dështojnë të arrestojnë katër zyrtarë policie dhe po fajësojnë njëri-tjetrin se kush ka dekonspiruar, ndërkohë që ne kemi tre katër ditë që dëgjojmë nëpër studio dhe deklarata të opozitarëve lista arrestimesh të zyrtarëve të policisë.
Kjo e bën të dukshme se opozita ka një link me ndonjë qendër vendimmarrëse në prokurori për planin e punës së tyre. Dhe nuk është ndonjë hata që e ka, pasi betejën për prokurorinë po e bën.
Nuk është ndonjë hata edhe që kryeprokurori mban në zyrë gazetare kur flet me të tjerë dhe e lejon atë të përshkruaj në ekran edhe fytyrën e kryeprokurorit kur flet në telefon me dikë.
Problemi është se opozita po përpiqet të duket sikur po udhëheq operacionet me prokurorinë dhe e gjithë kjo vetëm që të bëhet një me kryeprokurorin dhe ta konsideroj prekjen e tij, prekje të opozitës.
Nga nevoja që ka për mos zëvendësimin e kryeprokurorit, opozita po përpiqet të jetë një hap para tij dhe institucionit të tij, duke ngritur akuza dhe duke i vënë në jetë disa ditë më pas prokuroria. Ky është roli i një tellalli që dëmton seriozisht sekretin hetimor dhe keqpërdor politikisht prokurorinë.
Përpjekja për tu dukur sikur opozita po udhëheq prokurorinë në betejën kundër zyrtarëve, bëhet për të kundërshtuar emërimin nga shumica të kryeprokurorit të ri që është një procedurë ligjore dhe nuk ka lidhje me këtë situatë. Kryeprokurori do të zëvendësohet njësoj dhe sikur të flinte dhe këto dy javë, siç ka fjetur pesë vjet dhe sikur të arrestonte këtë javë dhe Edi Ramën. Problemi është që opozita të mos dëmtoj punën e pjesës tjetër të prokurorisë që së paku po bën diçka për të cilën duhet falënderuar.