Opozita PD e Berishës kërkon mocion urgjent me debat për Arben Ahmetajn

PD e Berishës kërkon mocion urgjent me debat për Arben Ahmetajn

Deputetët e Grupimit të Sali Berishës në Partinë Demokratike i kanë dërguar kryeparlamentares Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me debat publik urgjent në Parlament.

Kërkesa për mocion me debat është bërë për çështjen e inceneratorëve dhe zhvillimet e fundit që në qendër kanë ish-numrin dy të qeverisë Rama, Arben Ahmetaj.

Sipas asaj që deklarojnë deputetet e Berishës, kërkesa e SPAK për arrestimin dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon që “afera e inceneratorëve është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama.”

PD e Berishës e cilëson seancën e sotme plenare antikushtetuese dhe për këtë arsye, kërkon nga Parlamenti që të mbahet mocioni me debat.

Pas dërgimit të kësaj kërkese nga “Rithemelimi”, brenda tre ditëve duhet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të marrë një vendim, por deputetët kërkojnë që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet që sot dhe çështja të futet në rendin e ditës për seancën e të enjtes së ardhshme.

“Kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhërin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar.

Seanca plenare e ditës së premte, datë 14.07.2023 u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, e cila në Nenin 73, pika 4 e saj, parashikon diskutim si dhe votim të hapur me qëllim që opinioni publik të vihet në dijeni mbi qëndrimet e secilit deputet. Ndaj: Meqenëse seanca e ditës së sotme nuk e garantoi mundësinë e debatit për një cështje të një rëndësie madhore, kërkojmë nga ana juaj:

Mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte date 14.07.2023, të Konferencës së Kryetarëve dhe futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të dt 20.7.2023, të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë;

Çdo deputet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta; Lista e folësve për Mocionin me Debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues të Mocionit me Debat dhe më pas mund të vijojnë folësit apo diskutantët e tjerë”, thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.