Teksa të shtunën pritet të zhvillohet protesta e opozitës në Tiranë, kryeministri Edi Rama duket se do të vijojë agjendën normale të takimeve. Kreu i qeverisë do të jetë në Vlorë.
Të paktën kështu bën me dije ish-ministri i Transporteve, Damian Gjiknuri, i cili shkruan se të shtunën bashkë me Ramën do të jetë në Vlorë në kuadër të takimeve publike “Bashkia që duam”.
“Në kuadër të takimeve publike të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama do të jetë të Shtunën në qytetin e Vlorës.
Vëmendja e shtuar e qeverisë për Qarkun e Vlorës tashmë është e prekshme përmes investimeve të kryera dhe projekteve të planifikuara. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë në ora 10:30 në Sheshin e Flamurit”, shkruan Gjiknuri në profilin e tij në facebook, ndërsa në orën 11:00 do të nisë protesta e opozitës.
Me turin e takimeve të parashikuar në Vlorë, duket se nënkryetari i PD, Edi Paloka i cili sot e spërkati me bojë kryeministrin, veprim për të cilin tha se është fillimi i 16 shkurtit, ka fituar edhe ‘bastin’ për vendndodhjen e tij ditën e protestës.
Përmes një postimi në facebook, Paloka shkruante se më datë 16 shkurt Rama ose do të jetë jashtë ose do të shkoj në Vlorë.