Aktualitet Opozita proteston të shtunën në Bulevard, këto janë rrugët që do të...

Opozita proteston të shtunën në Bulevard, këto janë rrugët që do të bllokohen

Opozita do të dalë të shtunën në mesditë në Bulevard për të protestuar kundër qeverisë Rama. Për këtë arsye, disa rrugë të kryeqytetit do të jenë të bllokuara për qarkullim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën të ditur se, duke filluar nga ora 06:00 e së dielës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, njoftohet se në këto rrugë do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e së shtunës deri në përfundim të tubimit.

Qytetarëve u bëhet thirrje që të shmangin akset e përmendura më sipër dhe të përdorin rrugë alternative.

Më herët gjatë ditës së sotme, në konferencën e përbashkët me gazetarët, kreu i demokratëve Sali Berisha u shpreh ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po e presin me interes të madh këtë protestë.

Kryedemokrati u shpreh po ashtu se kjo është një protestë me të cilën shqiptarët do t’i përgjigjen “flakë për flakë” asaj që ai e quajti “Watergate” i shekullit të XXI-të, “njërit prej skandaleve më të mëdha.”