Një grup eurodeputetësh nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit të BE-së mbërrijnë nesër në Tiranë në një vizitë të planifikuar kohë më parë, por që merr një rëndësi të veçantë për kohën kur zhvillohet.
Një burin diplomatik i tha Top Channel-it se kjo vizitë do të shërbejë për t’i bërë një inventar progresit të reformave të deritanishme kërkuar nga BE. “Vizita ka qëllim primar mbledhjen e të dhënave nga aktorë të ndryshëm për të arritur në përfundimin nëse Shqipëria është gati për çeljen e negociatave për antarësim”, u shpreh i njëjti burim.
Ky delegacion përbëhet nga 7 eurodeputetë dhe do të udhëhiqet nga eurodeputeti Tunne Kelam, i cili përpara kësaj vizite ka deklaruar: “Viti 2019 është esencial nga ku do të formësohet një rrugë e gjatë e të ardhmes për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne e përshëndesim progresin e arritur dhe me forcë kërkojmë nga të gjitha forcat politike për të punuar bashkërisht për zbatimin e reformave pa asnjë vonesë”.
Eurodeputeti Tunne Kelam thekson se nuk ka mbetur shumë kohë: “Nuk duhet të shpërdorohet koha e mbetur deri në mbledhjen e qershorit të Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel, nga ku do të vendoset nëse Shqipëria është gati për çeljen e negociatave”.
Eurodeputeti Tunne Kelam ka komentuar edhe lënien e mandateve nga deputetët e opozitës, përfshi dy protestat e fundit: “Ne dënojmë të gjithë retorikën politike që nxisin dhunën dhe i kërkojmë opozitës të ripërfshihet në proceset demokratike në Parlament. Qeveria dhe opozita me urgjencë të mos të përkeqësojnë situatën dhe të përfshihen në diskutime konstruktive”.
Pjesë e këtij delegacioni do të jetë edhe Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian.