Shefja e misionit të OSBE / ODIHR në Tiranë, Audrey Glover, tha gjatë raportit paraprak mbi zgjedhjet vendore tha se ato u mbajtën pa marrë shumë parasysh interesat e elektoratit, ndërsa vuri në dukje se votuesit ishin nën presion nga të gjitha partitë.
“Opozita vendosi të mos marrë pjesë, ndërsa Qeveria ishte e vendosur që t’i mbajtur ato pa opozitën. Në një klimë të ngërçit politik, votuesit nuk patën mundësi reale për të zgjedhur mes alternativave. Në 31 nga 61 bashki, kandidatët për kryetarë garuan pa kundërshtar. Dhe pati pretendime të besueshme nga qytetarët se ishin në presion nga të dyja palët. Përplasjet politike çuan në pasiguri politike. Pozitiv ishte fakti që procesi i votimit u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Glover.
Sa i përket dekreteve të Presidentit Ilir Meta dhe vendimit të Kryeministrit Edi Rama për të mos i marrë parasysh ato, Glover shtoi: “Popullatës iu duk konfuze dhe ka pasur shqetësime në të gjithë vendin. Më lejoni t’ju bëj një pyetje? Për kë bëhen zgjedhjet? Për politikanët apo votuesit? Jam e bindur se në zgjedhje, pjesëmarrësi më i rëndësishëm është votuesi. Votuesit duhet të jenë në gjendje të votojnë lirshëm për kandidatin që zgjedhin dhe pa asnjë lloj presioni”.
Ajo kritikoi edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Tërheqja e partive të opozitës kufizoi në mënyrë të konsiderueshme mundësinë e votuesve për të zgjedhur. KQZ e interpretoi në mënyrë kreative ligjin dhe nuk ishte gjithmonë transparente në publikimin e vendimeve të saj”, tha Glover. “Tërheqja e opozitës kombinuar me interpretimin e ligjit nga KQZ e la të paekuilibruar procesin zgjedhor. Në këtë mënyrë, qëllimi i ligjit për të krijuar balancë në komisione nuk u përmbush”.
Glover pati kritika edhe për median: “Ka një numër të madh organesh mediatike që janë të pozicionuara me parti të caktuara politike si rrjedhojë e interesave të pronarëve të tyre. Kjo shkakton ndërhyrje të drejtëpërdrejte në autonominë e redaktorëve dhe kufizon pluralizmin e pikëpamjeve. Media nuk pati pavarësi dhe u fokusua te kriza politike. Tërheqja nga zgjedhjet e opozitës, kombinuar dhe me një media të polarizuar, çoi në atmosferë shqetësimi. Edhe ne pamë prova se votuesit ishin nën presion nga të gjitha palët politike. Kjo në disa raste nuk e ka lejuar votuesin të votojë i lirë dhe i mirëinformuar. Kjo cënoi besimin e votuesve”.
Glover e mbylli fjalën e saj duke thënë se brenda dy muajve, OSBE / ODIHR do të botojë raportin e plotë: “Morën apo nuk morën pjesë votuesit në zgjedhje, duhet të ishin trajtuar me respekt. Aktorët politikë duhet të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm atyre që i mbështesin. Ne do të hartojmë për rreth dy muaj në raportin tonë. Në të do të përfshijë rekomandime dhe ODIHR do të jetë i lumtur të ndihmojë në përmbushjen e tyre”.
Këto ishin zgjedhjet e 14-ta që OSBE / ODIHR vëzhgon Shqipëri. Misioni për këtë vit nisi më 23 maj, me në total 126 vëzhgues.