Ekonomi Pagat/ Rama: Sipërmarrja private të mos shtrëngojë dorën, rrezikon të humbasë kapitalin...

Pagat/ Rama: Sipërmarrja private të mos shtrëngojë dorën, rrezikon të humbasë kapitalin njerëzor

Në analizën e punës së Bashkisë së Tiranës, i pranishëm është edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se synimi duhet të jetë rritja e pagave për qytetarët.

Kryeministri Rama ka shprehur shqetësimin që Shqipëria po shkon drejt një situate ku nuk ka burime njerëzore. Referuar frazës “ka vende pune dhe nuk ka profesionistë”, Rama ka thënë se sot rrezikon të kthehet në problem që nuk ka punëtorë.

Edi Rama: Kemi detyrën dhe mundësinë të hyjmë në një ndërveprim më të hapur mes të gjitha palëve për të garantuar që njerëzit në të gjitha fushat e jetës të marrin atë që është maksimumi i mundshëm i këtij vendit dhe këtu sipërmarrja private duhet të bëjë një reflektim pa humbur kohë sepse duke shtrënguar dorën më shumë seç duhet dhe në vijimësi dhe duke i lënë gjithmonë të fundit ato që në fakt janë të parat fare, pagat për të punësuarit e vet, i ka hapur vetes një gropë që nëse nuk nxitojmë ta mbyllim sot, do të bëhet e pambyllshme. Një gropë që vjen si rezultat i humbjes së kapitalit njerëzor.

Sipërmarrja nuk mundet që të vazhdojë t’i nënpaguajë të punësuarit në raport me atë që është produktiviteti. Nuk mund të bëjë gjithçka për familjet e tyre dhe të mos bëjnë gjithçka për punonjësit e tyre sepse ajo që ka filluar sot që të ndjehet është vetëm alarmi i fundit, humbja e burimeve njerëzore. Ajo që deri dje ishte një problem, sot rrezikon të kthehet në një sëmundje të pashërueshme. Problemi që kishte vende pune dhe nuk kishte profesionistë, sot rrezikon të kthehet në problem që nuk ka punëtorë, aq më tepër në kushtet kur bota, po marr Gjermaninë si shembull, po hyn në një fazë krize pikërisht për punëtorë edhe ajo vetë. Përfytyroni se në çfarë fazë presioni mund të gjendet Shqipëria.