Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka zhvilluar një “vizitë virtuale” këtë të martë në Shqipëri. Ai ka biseduar me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe kryeopozitarin Lulzim Basha. Në fokus të diskutimeve të tij kanë qenë zgjedhjet e 25 prillit.
Në fund zv/ndihmës sekretari ka pasur një bisedë edhe me gazetarët të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA-së.
“Nuk mbajmë anën e asnjë krahu politik. Të sigurohet besimi i shqiptarëve për zgjedhjet me standarde demokratike”, është shprehur Palmer në lidhje me bisedat me Ramën, Metën dhe Bashën.
Me gazetarët, Palmer ka pasur në qendër të bisedave edhe Reformën në Drejtësi.
Palmer është shprehur se ka progres sa i përket Reformës në Drejtësi, por ka akoma punë për të bërë nëse Shqipëria do të integrohet në BE.
“Shoh progres, por ka akoma punë për të bërë. Duhet të jetë prioritet nëse Shqipëria do të shkojë në BE”, është shprehur Palmer.
“Mund t’ju them që reforma në drejtësi do vazhdojë dhe nuk do jetë një gjë elektorale. Nuk do jete perfekte, por nesër do jetë më mirë se sot. Ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve duhet të japin llogari. Ne kemi parë shumë progres në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për t’u bërë dhe këtë gjë e dinë të gjitha palët”, u shpreh zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit.
Gjatë ditës së sotme, Palmer ka zhvilluar disa biseda online edhe me kampionët e Reformës në Drejtësi.