Aktualitet Papa bën thirrje për ndalimin e luftës “para se të zhdukë njerëzimin...

Papa bën thirrje për ndalimin e luftës “para se të zhdukë njerëzimin nga historia”

Papa Françesku ripërsëriti thirrjen e tij për paqen në Ukrainë këtë të diel dhe tha se ka ardhur koha për ta shfuqizuar luftën përpara se zhdukë njerëzimin nga historia.

“Ka kaluar më shumë se një muaj nga pushtimi i Ukrainës, që nga fillimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë, e cila, si çdo luftë, është një humbje për të gjithë, për të gjithë ne”, tha Ati i Shenjtë në fjalimin e tij të përjavshëm.

“Ne duhet ta hedhim poshtë luftën, një vend vdekjeje ku baballarët dhe nënat varrosin fëmijët e tyre, ku burrat vrasin vëllezërit e tyre pa i parë, ku të fuqishmit vendosin dhe të varfrit vdesin. Lufta nuk shkatërron vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e shoqërisë”, tha ai.

Papa përsëriti apelin për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

“Përballë rrezikut të vetëshkatërrimit, njerëzimi duhet të kuptojë se ka ardhur koha për të shfuqizuar luftën. Ta fshijë atë nga historia njerëzore para se të fshijë njeriun nga historia”, tha ai.

“Mjaft. Ndaloni. Le të heshtin armët. Negocioni seriozisht për paqen. Lufta nuk mund të jetë diçka që është e pashmangshme. Ne nuk mund të mësohemi me luftën”, tha Papa Françesku.