Papa Françesku tha të dielën se këtë javë do të japë një bekim të jashtëzakonshëm “Urbi et Orbi” (qytetit dhe botës) – zakonisht i dhënë vetëm në Krishtlindje dhe Pashkë – dhe bëri thirrje për lutje në mbarë botën për t’iu përgjigjur krizës së koronavirusit.
Françesku bëri njoftimin e befasishëm në mesazhin e tij të përjavshëm Angelus, të cilin Vatikani e transmetoi përmes internetit dhe televizionit, dhe jo para turmave në Sheshin e Shën Pjetrit, siç ndodh zakonisht.
Vendimi i tij për të bërë një përjashtim dhe për të dhënë një bekim të veçantë “Urbi et Orbi” thekson rëndësinë e situatës në të gjithë botën, por veçanërisht në Itali, e cila i ka kaluar Kinës si vendi më i goditur nnga shpërthimi i virusit në botë.
Papa tha që të premten në mbrëmje se do të jepte bekimin e jashtëzakonshëm nga një Shesh i zbrazët i Shën Pjetrit. Sheshi, i cili është pjesë e Vatikanit, mbahet i mbyllur për të ndaluar përhapjen e virusit.
Katolikët që marrin bekimin, qoftë personalisht ose përmes mediave, mund të marrin faljen e dënimit për mëkatet, thotë Reuters.
Papa Françesku gjithashtu u bëri thirrje të gjithë të krishterëve në mbarë botën të ndalen në mesditë me orën italiane të mërkurën e të luten “Ati ynë” së bashku.
“Ne duam t’i përgjigjemi pandemisë së virusit me universalitetin e lutjes, dhembshurisë, butësisë. Le të mbetemi të bashkuar“, tha ai nga biblioteka e papës.