Kryesore Papa thyen heshtjen: Shumë i pikëlluar që Hagia Sofia kthehet në xhami...

Papa thyen heshtjen: Shumë i pikëlluar që Hagia Sofia kthehet në xhami në Stamboll

Shën Sofia, qendra e dy perandorive duket se do të ndërpresë dialogun mes Krishterimit dhe Islamit, por edhe mes Turqisë dhe Europës. E gjitha bota ka dalë kundër vendimit, por Erdogan këmbëngul: Shën Sofia, puna jonë! Mos ndërhyni

“Mendimi shkon në Stamboll, mendoj për Hagia Sofia. Jam shumë, shumë i pikëlluar”. Disa fjalë në fjalimin e përgatitur për Angelus në sheshin e Shën Pjetrit dhe më pas Papa Françesku bën një pauzë të gjatë, të pazakontë, heshtje. Vuajtja e tij në lidhje me vendimin e qeverisë turke për të shndërruar ish-katedralen Bizantine të krishterë kushtuar Urtësisë Hyjnore, e inauguruar në 537 nën perandorinë e krishterë të Justinianit, në një xhami është e dukshme.

Ky është qëndrimi i parë zyrtar i mbajtur nga Vatikani dhe Kisha Katolike pas njoftimit se Hagia Sofia do të rikthehet në xhami. Ditët e fundit ka pasur shumë kritika nga të krishterët, dhe jo vetëm, ndaj vendimit të Erdoganit. Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu tha: “është një zgjedhje që do të shtyjë miliona të krishterë në mbarë botën kundër Islamit. Për shenjtërinë e saj, Hagia Sofia është një qendër e jetës në të cilën përqafohen Lindja dhe Perëndimi. Rivendosja në një vend të adhurimit islam do të shkaktojë një ndarje midis këtyre dy botëve. Është absurde dhe e dëmshme që në shekullin XXI Hagia Sofia, nga një vend që tani lejon që të dy popujt të takohen dhe të admirojnë madhështinë e saj, mund të bëhet edhe një herë arsye për konfrontim”.

Erdogan: Shën Sofia, puna jonë! Mos ndërhyni

Turqia do të konsiderojë si ndërhyrje në punët e brendshme dhe cenim të sovranitetit të saj çdo formë reagimi nga vendet e tjera, apo komuniteti ndërkombëtar në lidhje me vendimin e hapjes si xhami të Shën Sofisë.

“Akuzat ndaj vendit tonë për Shën Sofinë shënjestrojnë drejtpërdrejtë të drejtat tona sovrane. Jemi të vendosur që të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e myslimanëve, besimi kryesor fetar në vendin tonë, ashtu edhe anëtarët e besimeve të tjera”, deklaroi Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

Deklarata është një reagim ndaj kritikave të SHBA dhe Francës. Javën e kaluar, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i kërkoi Erdogan që të mos vazhdojë me planin për ta rihapur si xhami katedralen e shekullit të gjashtë që mbrohet nga UNESCO. Turqia reagoi duke e cilësuar “tronditëse” deklaratën e kryediplomatit amerikan.

Franca nga ana tjetër kërkoi përmes Ministrisë së Jashtme që Shën Sofia të qëndrojë muze dhe të mbetet e hapur për të gjithë. Ankaraja iu përgjigj duke deklaruar se rihapja e saj si xhami nuk do të pengojë persona të besimeve të tjera nga e gjithë bota që ta vizitojnë dhe kërkoi nga ndërkombëtarët që të mos ndërhyjnë në punët e saj të brendshme.

Në lidhje me vendimin e Turqisë ka reaguar edhe Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Greqia dënon me forcë vendimin e Turqisë për të konvertuar në xhami Hagia Sophia-n. Vendimi, që mbërrin 85 vite pas përcaktimit të saj si muze, është një ofendim për natyrën e saj universale. Ky vendim ofendon ata që e njohin këtë monument si pjesë të qytetërimit botëror dhe cenon marrëdhëniet e Turqisë, jo vetëm me Greqinë, por edhe me Bashkimin Europian, UNESCO-n dhe komunitetin ndërkombëtar në tërësi. Është për të ardhur keq që të njëjtit udhëheqës turq, që në 2005 punuan për të ndërtuar një Aleancë të Qytetërimeve, sot vendosin që të ecin plotësisht në kah të kundërt”, thuhet në deklaratën e Qeverisë greke.

Shën Sofia, qendër të dy perandorive

Shën Sofia ka qenë në qendër të dy perandorive. E ndërtuar në vitin 537, ajo ishte kryeqendra e besimtarëve në Perandorinë Bizantine. Në vitin 1054, gjatë shizmit të madh, kur të krishterët u ndanë në katolikë dhe ortodoksë, katedralja u shndërrua në kryeqendër të ortodoksizmit grek deri në vitin 1453, kur me rënien e Kostandinopojës, ajo ra në duart e Perandorisë Osmane dhe u shndërrua në xhami.

Në vitin 1935-1936, themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk mes presionit të brendshëm për ta mbajtur si xhami dhe presionit ndërkombëtar për të ruajtur trashëgiminë e krishterë të katedrales e përcaktoi si muze. Prej asaj kohe, Shën Sofia është një prej monumenteve më të vizituara nga turistët në Stamboll.