Forcat e Rendit kanë parandaluar një vrasje të mundshme në kryeqytet. Policia ka ndërhyre dje, pas disa sinjalizimeve, në rrugën Bilal Xhaferi, në zonën pranë Liqenit Artificial, ku një person dyshohej se kishte armë zjarri me vete.
Personi u identifikua si shtetasi 28-vjeçar nga Shkodra, Sadetin Erkoçeviq, person ky i cilësuar si me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Policia ndërhyri duke arrestuar të riun, në çantën e të cilit u gjet një pistoletë Beretta me 14 fishekë.
Personi ishte një njohje e vjetër e policisë, pasi në shkurtin e vitit 2018 ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie me akuzën e vrasjes me dashje, në një episod të vitit 2014, ku kishte vrarë një person dhe lënduar një tjetër në një lokal.