Aktualitet Paratë e pista, zgjerohet lista/ Në lupë jahtet luksoze, gurët e çmuar,...

Paratë e pista, zgjerohet lista/ Në lupë jahtet luksoze, gurët e çmuar, udhëtimet e shtrenjta, veprat e artit

Nga jahtet luksoze, gurët e çmuar, udhëtimet e shtrenjta, veprat e kushtueshme të artit, deri te administrimi i titujve apo bonove lehtësisht të konvertueshme nga të tretë. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zgjeruar gamën e subjekteve që do të kalojnë në sitën e saj.

Në ndryshimet që i janë bërë Ligjit për pastrimin e parave, të sapopublikuara në Fletoren zyrtare, në listën e subjekteve me risk të lartë janë përfshirë të gjitha ata subjekte që sigurojnë shërbime në administrimin e aseteve të të tretëve dhe/ose drejtimin e veprimtarive të lidhura me to; ndërtimet; deri edhe në biznesin e metaleve e të gurëve të çmuar; si dhe marrëveshjet e garancitë financiare.

Në listën gjenden edhe subjekte të përfshira në operacione për shitblerjen e veprave të artit apo shitblerjen me ankand të sendeve me vlerë 1 000 000 (një milion) lekë ose më shumë. Por nuk mungojnë as subjektet që ofrojnë shërbime financiare në sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose titujve lehtësisht të konvertueshëm, në emër të personave të tretë.

Për herë të parë në listë përfshihen edhe veprimtaritë e transportit; ato të përfshira në tregtimin e mjeteve motorike tokësore, lundruese dhe ajrore; si dhe agjencitë e udhëtimit.

Lorenc Rabeta/SCAN