Partizani nuk shfrytëzon dot mundësinë për tu shkëputur në krye të renditjes dhe për të vendosur njërën dorë te titulli kampion. Të kuqtë u mposhtën 1-0 në Laç nga bardhezinjtë e Besnik Prengës të cilët konsiderohen edhe si macja e zezë e të mëdhave në Kategorinë Superiore.
Një gabim i Atandës dhe një vendim i dyshimtë i anësorit Rejdi Avdo për të ndryshuar vendimin e kryesorit Klajdi Kola që akordoi faull në limitet e zonës, duke akorduar penallti për një ndërhyrje brenda zone të mbrojtësit nigerian ndaj Elvi Berishës, i mjaftoi Laçit për të marrë fitoren e parë në kampionat në vitin 2019 dhe për të mbajtur më të hapur se kurrë garën për titull në Superiore.
Në minutën e 13-të Shtubina mposhti Alban Hoxhën nga 11 metra distancë, një gol që u mjaftoi vendasve për të marrë tre pikët dhe për të hedhur pas shpatullave krizën e javëve të fundit.
Pas kësaj humbjeje të Partizanit diferenca mes vendit të parë dhe atij të dytë nga 8 pikë që ishte një javë më parë është ngushtuar në 7 pikë pas fitores së Teutës ndaj Kukësit që ngjiti durrsakët në vendin e dytë.
Pavarësisht përpjekjeve, Partizani nuk kishte saktësinë e duhur në finalizimin e aksioneve dhe nuk arriti të ndryshonte shifrat 1-0. Kjo ishte humbja e 4-t sezonale për Partizanin që tashmë duhet të ringrihet në sfidën ndaj Flamurtarit.
Bëri surprizën e madhe Kastrioti që me një gol në minutat shtesë të ishit të madh Ersil Ymeraj mposhti 1-0 Kamzën në shtëpinë e këtyre të fundit, duke lënë pikërisht në vendin e fundit të renditjes skuadrën e Gjokës dhe duke ringjallur më shumë se kurrë shpresat për mbijetesë. Kjo ishte edhe një fitore e madhe për krutanët dhe një disfatë e rëndë për Kamzën, por edhe një hakmarrje e vogël e trajnerit të Kastriotit Bledar Devolli që e nisi sezonin te Kamza por u shkarkua pas vetëm 3 javësh.
Kastrioti ka marrë “fytyrën” luftarake të Devollit tashmë dhe me këtë sukses u ngjit në kuotën e 19 pikëve.