Interi vendosi të trondisë jo pak tifozët këtë të mërkurë, me ndryshimin e hierarkive te lojtarët, duke shkarkuar nga përgjegjësitë dhe privilegjet e kapitenit sulmuesin Mauro Icardi.
Me një postim të thatë në rrjetet sociale, grada e kapitenit tani do të rëndojë në krahun e portierit Samir Handanoviç, një vendim që nuk lë shteg për interpretime në rang meritash, por hap shumë diskutime për situatën polemizuese rreth futbollistit argjentinas.
Vendimi i bujshëm i drejtuesve të Interit erdhi pas polemikave të shumta, lidhur me rinovimin e kontratës së bomberit të zikaltërve.
Mauro Icardi, i cili u emërua kapiten para 3 vitesh nga trajneri Roberto Mançini, ka refuzuar të firmosë akordin e ri të propozuar nga skuadra milaneze, duke kërkuar përmirësime të ndjeshme në terma financiarë, ndikuar dhe nga ofertat e shumta.
Por jo vetëm kaq. Gjuha aspak diplomatike e gruas, që bën edhe agjenten e futbollistit, ka çuar në përplasje me drejtuesit. Wanda Nara ka tejkaluar interesat e klientit, duke zbuluar dhe situata të lojtarëve të tjerë, mes të cilëve edhe Ivan Perisiç.
Interi nuk u ndal me kaq në surprizat rreth argjentinasit, pasi ka vendosur ta lërë jashtë listës së futbollistëve për ndeshjen e Europa League, të enjten në mbrëmje në Vjenë, kundër Rapidit.