Aktualitet Pas ngujimit të grevistëve, kryesindikalisti i naftëtarëve shtrohet me urgjencë në spital

Pas ngujimit të grevistëve, kryesindikalisti i naftëtarëve shtrohet me urgjencë në spital

Një ditë pasi u ngujuan duke refuzuar ujin dhe ndihmën mjekësore, kryetari i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj, është shtruar me urgjencë në spital në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte.

Pas ndihmës së parë mjekësore, vetë Dautaj është shprehur sërish i vendosur për t’u rikthyer në ambientet e grevës dhe për të vazhduar protestën në mënyrë më ekstreme.

Ndërkohë, stafi mjekësor i spitalit bashkiak të Mallakastrës bën apel për ndërprerjen e grevës nga ana e Dautajt, ashtu sikurse konfirmojnë se janë refuzuar të ndjekin shëndetin e grevistëve të tjerë të ngujuar.

Në ditën e 12 të grevës së urisë, e cila tashmë është shndërruar në ngujim, ku është refuzuar uji, dhe ndihma mjekësore, përfaqësia e naftëtarëve ende nuk ka marrë asnjë përgjigje për kërkesat ekonomike të tyre, marrjen e pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës në rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh.