E mandatuar nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste si Sekretare për Komunikimin Digjital, deputetja Blerina Gjylameti thotë se mazhoranca ka treguar se është gjithmonë e gatshme për t’u përballuar me sfidat që kërkon vendi dhe koha, duke qenë gjithmonë në avangardë dhe në pararojë pa harruar misionin e saj për të qenë gjithmonë pranë shqetësimeve të atyre që e kanë mandatuar.
Gjylameti nënvizon se në detyrën e re që i është besuar nga PS dhe kryetari Rama, është gati që të gjithë eksperiencën e koordinimit ta transformojë në një organizim komplet të ri digjiital të familjes socialiste në mënyrë që çdo anëtar e simpatizant të jetë, bashkëvendimarrës në çdo ndërveprim.
“Besimi i dhënë më 30 qershor nga qytetarët shqiptarë ishte, jo vetëm një vlerësim për punën e bërë nga ne deri më tani, por edhe një detyrim më shumë ndaj përgjegjshmërisë tonë për t’ju shërbyer atyre më shumë dhe më me cilësi. Partia Socialiste ka treguar, se është gjithmonë e gatshme për t’u përballuar me sfidat që kërkon vendi dhe koha, duke qenë gjithmonë në avangardë dhe në pararojë, duke mos harruar misionin e saj për të qenë gjithmonë pranë shqetësimeve të atyre që na kanë mandatuar. Në rrugëtimin tonë deri në zgjedhjet e përgjithshme të 2021, kam nderin për të kryer detyrën e re, si Sekretare për Komunikimin Digjital me besimin e veçantë të familjes politike dhe në veçanti të Kryetarit Edi Rama. Jam gati që të gjithë eksperiencën e koordinimit ta transformojmë bashkërisht në një organizim komplet të ri, digjiital të familjes sonë të madhe socialiste në mënyrë që çdo anëtarë e simpatizantë të jetë, bashkëvendimarrës në çdo ndërveprim tonin”, shkruan në Facebook, deputetja Gjylameti.