Presidenti Vladimir Putin ka rënë dakord të ndalojë sulmet në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, raportojnë mediat shtetërore ruse.
Putin ka urdhëruar ushtrinë që të ndalojë sulmet në ato objektiva për 30 ditë, pas bisedimeve me Donald Trump.
Në një deklaratë të lëshuar pas telefonatës së Donald Trump me Vladimir Putin, Shtëpia e Bardhë tha se të dy palët ranë dakord të zhvillonin “negociatat teknike” për një armëpushim detar dhe, më tej, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.
“Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme”, tha Shtëpia e Bardhë.
Trump dhe Putin gjithashtu “ranë dakord që një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis SHBA dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha”, me “marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik”.
Ndërsa Moska thotë se Putin dhe Trump shprehën interes të ndërsjellë për “normalizimin e marrëdhënieve” midis SHBA-së dhe Rusisë, ndërsa u ra dakord gjithashtu për një shkëmbim të burgosurish midis Moskës dhe Kievit, për 175 të burgosur lufte (nga secila palë).
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë:
Sot, Presidenti Trump dhe Presidenti Putin folën për nevojën për paqe dhe një armëpushim në luftën në Ukrainë. Të dy udhëheqësit ranë dakord se ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme. Ata theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Ky konflikt nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe duhet të kishte përfunduar shumë kohë më parë me përpjekje të sinqerta dhe të mirëbesimit për paqe. Udhëheqësit ranë dakord që lëvizja drejt paqes do të fillojë me një armëpushim energjetik dhe infrastrukturor, si dhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të fillojnë menjëherë në Lindjen e Mesme. Udhëheqësit folën gjerësisht për Lindjen e Mesme si një rajon bashkëpunimi të mundshëm për të parandaluar konfliktet e ardhshme.
Ata diskutuan më tej nevojën për të ndaluar përhapjen e armëve strategjike dhe do të angazhohen me të tjerët për të siguruar aplikimin më të gjerë të mundshëm. Të dy udhëheqësit ndanë pikëpamjen se Irani nuk duhet të jetë kurrë në një pozicion për të shkatërruar Izraelin. Të dy udhëheqësit ranë dakord se një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha. Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja.