Tërheqja e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut, ka krijuar një turbullirë në Shkodër. Partia Socialiste ka marrë një vendim për bashkinë: nuk do të heqë dorë nga qyteti veriperëndimor.
Këshilli Bashkiak do të konstituohet sipas planit e kjo do të bëhet në datën 19 gusht dhe jo 21 gusht siç ishte parashikuar më herët. Shkodra do të vazhdojë që të udhëhiqet nga kryebashkiakja aktuale Voltana Ademi, por me një këshill bashkiak me shumicë socialiste.
Që të mund të zgjidhet kryebashkiaku i ri, duhet që presidenti Ilir Meta të dekretojë një datë për zgjedhje të parakohshme në këtë Bashki.
Vetë kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa me dekretin e ri ka caktuar datën 13 tetor për zgjedhjet vendore. Nisur nga kjo situatë, shtrohen pyetjet: A do të kemi zgjedhje më 13 tetor për qendrën e veriut? A do t’i bindet shumica presidentit Meta?