Alessia Selimi*
Pëllumbi, simbol paqeje! I etiketuar si i tillë fillimisht në librin e shenjtë të krishtërimit dhe më pas i identifikuar nga historia si përcjellës i mesazheve të luftës dhe dashurisë. Në një marrëdhënie tejet të ngushtë me këtë të fundit, pëllumbi në ditët e sotme nuk gjendet në kërkim të tokës së thatë (sikurse thuhet në Bibël) apo marrësit të letrave, por duke garuar në kilometra të paracaktuar. Gjithnjë me krahët e hapura drejt të zotit, i cili i përkushton maksimalisht kohën e tij. Adrenalina, e përftuar nga triumfi i tyre nëpër gara, justifikon si me magji çdo mundim.
Kryetari i Federatës së Pëllumbave Postierë, Kujtim Beqja, zotërues i një kompanie bojrash, është i pari në rradhë. Pasioni i një jete për pëllumbat i lexohet në sy. “Jam marrë me pëllumbat që në moshën 9-vjeçare, ndërkohë që sot jam 62 vjeç. Një fqinj i familjes sime kishte asokohe pëllumba dhe si të thuash më hynë në gjak. Ai i mbante në një vend dhe unë mbaj mend që shkoja dhe i ushqeja vazhdimisht me grurë misri. Madje, nuk shkoja në shkollë prej tyre”, rrëfen ai, duke shtuar më tej edhe prejardhjen dhe mënyrën e njohjes së tij me pëllumbat postierë. “Pëllumbat postierë u njohën tek ne në Luftën e Parë Botërore. I sollën francezët në Korçë. Pasi mbaroi lufta ata ikën, por pëllumbat i lanë. Për to u kujdesën korçarët. Mirëpo, raca e tyre nuk ishte më në gjendje optimale. Me hyrjen e demokracisë, ne filluam të dilnim jashtë dhe kështu u njohëm edhe me pëllumbat postierë të vendeve të huaja, të cilat për hir të së vërtetës ishin më të shpejtë.”
Ndërkohë që vijon së më shpjeguari hapat që e karakterizojnë një garë të mirëorganizuar, që ka zënë rrënjë tashmë në Shqipëri për plot 8 vite, e tërë mimika e tij duket se ka të pamundur të kursejë një të qeshur të çiltër. “Pëllumbat postierë konkurrojnë në plot dhjetë gara, njësoj sikurse zhvillohet edhe sporti i çiklizmit. Gara e parë zhvillohet gjithnjë në Hanin e Hotit (115 km). E dyta mbahet në Mal të Zi (115 km) dhe më pas garohet në Kroaci. Teksa rriten kilometrat që një pëllumb postier duhet të përshkojë, duhet të theksoj se garat ndahen në tre distanca; të shkurtra, të mesme dhe të gjata”, tregon Kujtim Beqja.
Ai ndan tërë kërshëri me Mapo ndryshimin e bërë së fundmi nga Federata e Pëllumbave Postierë. Nëse dikur vendi i parë rrëmbehej nga pëllumbi i parë që mbërrinte në kafazin e tij, sot fiton ai që grumbullon më shumë pikë përgjatë garave të zhvilluara. “Kemi përqafuar mënyrën sesi vendet evropiane e kanë praktikuar ndër vite këtë sport. Ky vendim ka ardhur për vetë faktin se ne jemi regjistruar dhe njihemi tashmë në Europë”, pohon ai, i cili shuan më tej kureshtjen sesi përcaktohen të qindtat e sekondit që përshkon pëllumbi. “I vendoset një mikroçip tek njëra këmbë dhe ka një program të posaçëm që e monitoron atë kur lëshohet për të fluturuar, i cili e regjistron atë në njësinë qendrore. Kur ata rikthehen, orën me të cilën pajisen e dërgojmë në Komision (i përbërë nga 5-6 veta) dhe ai i nxjerr rezultatet në mënyrë ekzakte. Ndonëse më duhet të përmend faktin se sot konkurrohet edhe me llastik (ku i shënohet në të kodi), pasi shumë njerëz nuk kanë mundësi financiare për t’u pajisur me orë, pasi varion me çmim 300-600 euro.”
Themeluesi i këtij sporti, i cili është njëherazi një ndër lojtarët më të fuqishëm në Shqipëri, rrëfen se ka ndërmarrë përsipër krijimin e një kafazi të përbashkët për pëllumbat postierë, që deri më sot është parë vetëm në Europë. Ai tregon i entuziazmuar se fill pas mbarimit të kampionatit kombëtar, më datë 22 korrik, do të lëshojë në qiell të hapur 500 pëllumba të grumbulluar nga shqiptarë emigrantë, për të cilët është përkujdesur që në vegjëli për to. “Sikurse ka qenë edhe vazhdon edhe sot në Europë, ku shqiptarët vendas dhe emigrantë dërgojnë pëllumbat e tyre në një kafaz të përbashkët, unë do e zhvilloj garën e këtij lloji edhe këtu. Kjo garë eleminon në mënyrë automatike kontradiktat apo inatet e brendshme midis lojtarëve, pasi pëllumbat përkujdesen nga një dorë e vetme; pra ushqehen, marrin vitamina dhe vaksinohen nga unë.”
Për t’iu rikthyer kampionatit kombëtar, të cilit i ka mbaruar ditën e djeshme etapa e dytë e garimit, në të marrin pjesë 150 vetë dhe janë hedhur rreth 3700 pëllumba. Sikurse shprehet Kujtimi, një person mund të jetë i pranishëm me një numër të pakufizuar pëllumbash, në varësi të investimit që bën për to, që për hir të së vërtetës përkthehet në kohë por edhe shpenzim monetar. E megjithatë, gjithçka zerohet përkundrejt rendjes drejt pasionit. Ky emocion i theksuar prodhon në mënyrë të pavetdijshme edhe një lidhje të ngushtë shpirtërore me pëllumbin dhe këtë gjë e konfirmon më së miri Kujtimi me Lepën (serbisht- E bukura). “Unë jam shumë i lidhur me të sepse është pëllumbi që më ka sjellë më shumë çmime në shtëpi, si të thuash më ka bërë krenar. Tanimë nuk garon më. Një lojtar kinez ma ka kërkuar t’ia shes 5 mijë euro, por nuk ia kam dhënë”– pohon tërë qesëndi.
Kryetari i Federatës së Pëllumbave Postierë, i cili bashkëshoqërohet në këtë aventurë me aromë lirie nga njerëz po kaq pasionantë, shprehet se synimi më i madh është pjesëmarrja e Shqipërisë në Olimpiadën Botërore në vitin 2021, që organizohet në një shtet të përcaktuar nga Federata Botërore. I pyetur për potencialin e vendit, ai nuk ngurron aspak të përgjigjet: “Shqipëria ka mundësi të përfaqësohet mjaft denjësisht sepse ka pëllumba të mirë në të cilën është investuar shumë. Si rrjedhojë ka edhe rezultate të mira”.
E në fund, teksa përkëdhel me gishtat e një babai të dhimbsur pëllumbat e tij, të cilët i ka strehuar në tarracën e shtëpisë, më pohon se ky rrugëtim do të marrë fund për të vetëm në sajë të moshës, me të cilën fatkeqësisht askush nuk del dot i fituar.
*Gazeta Mapo