Kryedemokrati Sali Berisha ka qenë i ashpër në fjalën e tij në Kuvend përkundrejt ligjvënësve socialistë që sipas tij morën në mbrojtje kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha i cilësoi deputetët e mazhorancës si “specie hajdute”. “Mbroni një njeri i cili ka vu firmat mbi një objekt që qytetarët e Shqipërisë dhe Tiranës kanë paguar 130 milionë euro dhe nuk ekziston. Sepse i ka vjedh. Kreu juaj me Erion Veliajn. Ku janë 130 milionë euro? Të zhdukura. Ku janë 1 milionë pemë të mbjella”, tha Berisha.
Ai u ndal në veçanti te mbrojtja që Toni Gogu i bëri Veliajt. Duke iu referuar të shkuarës së deputetit socialist si pastor, Berisha tha se Gogu po habit kombin dhe nuk ka asnjë lidhje me Biblën.
“Absolutisht ti ke më shumë gënjeshtra sesa qime në mjekrën tënde. Pastor. Ti habit kombin. Kur del dhe flet këtu në këtë mënyrë. Ti habit kombin me atë që bën. Po çlidhje ke ti me Biblën kur del e flet këtu si i pafe. Si mund të mbrohet Erion Veliaj, mor më thoni mua këtu. Kur janë shpenzuar vetëm në gardërobë njësoj sa Lejla Assad. A jeni ju përfaqësues të qytetarëve apo të kryehajnave të Tiranës. Si mund të mbrohet? Si mund të flisni këtu në këtë mënyrë, për një njeri i cili vuri modelin e vjedhjes 100% me 5D. Ku janë tre 5B e tjera, më thuaj pak Niko ku i ke. Dy kanë ardhur se tjerët kanë frikë. Se jeni bërë me germa 5D dhe 5B”, tha Berisha.
Lideri i opozitës nuk u ndal me kaq, pasi kërkoi nga foltorja e Kuvendit një hetim pasuror për Toni Gogun, me indicien e marrë nga avokatia që ai po i bën në Kuvend, Erion Veliajt.
“Ti dukesh se noton në përfitimet e tij. As avokati i tij nuk flet kështu si flet ti. Ti dukesh. Duhet një hetim i hollësishëm. Nuk mjafton. E shkuara jote si pastor, si certifikatë pastërtie. Me fjalën që mbajte këtu ti ke nevojë për kontroll me lupë të të gjitha pasurive. A mundet të dal njeriu të bëjë avokatinë, të atij që krijoi modelin e vjedhjeve dhe prokurimeve 100% me firmat e tij?!”, deklaroi Berisha.