Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave referoi vitin e kaluar 411 raste në prokurori dhe Policinë e Shtetit si të dyshimta për pastrim parash.
Shifra bëhet publike në raportin vjetor të këtij institucioni. Sipas raportit, gjatë vitit 2016 në njësinë e inteligjencës financiare janë raportuar 1.290 transkasione të dyshimta.
Por pas shqyrtimit, nga ky institucion janë konstatuar si të dyshimta për pastrim parash 411 raste. Sipas raportit, mes të dyshuarve janë edhe 4 persona të ekspozuar politikisht, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur.
Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave nuk ka kompetenca hetimi. Ajo analizon rastet e dyshimta, që sinjalizohen kryesisht nga bankat, noterët dhe shoqëritë e transfertave monetare.
Pas analizës, rastet për të cilat njësia e inteligjencës financiare konstaton se ka rrezikshmëri të lartë për pastrim parash apo financim terrorizmi ia përcjell për hetime penale prokurorisë ose policisë.
Por edhe pse nuk ka kompetenca hetimi, DPPPP ka të drejtë të sekuestrojë shumat e përfshira në transaksionet e dyshimta. Sipas raportit, vitin e kaluar kjo drejtori sekuestroi 28.7 milionë euro, nga të cilat 8 milionë u bllokuan përfundimisht.