Forca më e re politike, Bindja Demokratike, tashmë ka gati 3000 firma për t’u regjistruar në Gjykatën e Tiranës.
Procedura ligjore pritet të formalizohet paraditen e së martës, që përkon edhe me afatin e fundit të regjistrimit të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën elektorale të 30 Qershorit.
Partia e re nuk e ka zyrtarizuar ende kryetarin e saj.
Por televizioni Klan mëson se ajo do të drejtohet nga ish-Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi.
Rudina Hajdari, që mendohej se do të ishte pjese e kësaj partie politike, mësohet se është tërhequr përkohësisht nga ky projekt.
Deputetja që kryeson grupin e ri demokrat në parlament pati një takim me Patozin të shtunën për të diskutuar mbi detajet e grupimit të ri politik, por burime të Televizionit Klan thonë se në momentin final, ajo ka hezituar për të qenë në krye të partisë dhe ka kërkuar më tepër kohë.
Këtë qëndrim, deputetja Hajdari e ka përforcuar përmes një statusi në rrjetet sociale, ku pohon se nuk do të jetë në krye të kësaj partie dhe se angazhimi kryesor për të është kryesimi i grupit parlamentar demokrat në parlament.
Por Hajdari përshëndet krijimin e çdo forumi të ri politik, të cilin e sheh si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente, që sipas saj ka përfshirë vendin.
Teksa pritet zyrtarizimi i emrit të kryetarit, Bindja Demokratike ka formalizuar bordin e saj, në të cilin bëjnë pjesë ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si Endira Bushati, Leonard Olli, Fabian Topollaj, apo dhe Ardian Kollozi.
Astrit Patozi njihet si një ndër zërat më kritikë ndaj Lulzim Bashës.
Ai ndërmori pak kohë më parë edhe një lëvizje për “Ringritjen e Partisë Demokratike”, që synonte demokratizimin e kësaj force politike.
Në këtë lëvizje, Patozi u mbështet nga ish-ministra e ish-deputetë demokratë.
Nuk dihet nëse ata do ta mbështesin edhe në këtë projekt të ri politik, por mësohet se disa emra të njohur, të larguar nga Partia Demokratike po e shohin me interes këtë lëvizje.