Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irenej, i doli në krah presidentit Aleksandar Vuçiç, duke thënë se nuk kishte pse ta dënonte për lëshimin e Kosovës, pasi nuk e ka bërë këtë gjë.
“Kam 8 vite që dëgjoj që Vuçiç po përgatitet të tradhtojë Kosovën, por nuk e ka bërë. Ai është përballur me probleme të shumta të Kosovës. E ka treguar se është shtetar i përgjegjshëm në shumë çështje kombëtare. Qytetarët e dhanë gjykimin e tyre në zgjedhje”, tha Irenerj për gazetën “Vecernje Novosti”.
Irenej shtoi se politikanët shqiptarë, për shkak të mbështetjes së hapur nga Perëndimi, “nuk duan as të ulen në bisedime, e jo më të negociojnë” me palën serbe. “Gjithmonë kam thënë se problemi i parë që duhet zgjidhur është kthimi në Kosovë i 250 mijë serbëve të përjashtuar në vitet 1999-2004. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë më parë në këtë çështje e më pas të merret me të tjerat”.