Partia Demokratike ka depozituar këtë të mërkurë kallëzimin penal për projektin e Unazës së Re. Selia blu i kërkon prokurorisë nisjen e hetimeve dhe pezullimin e punimeve deri në përfundimin e hetimeve.
Partia Demokratike e cilëson këtë projekt korruptiv. Padia u depozitua nga ish-deputeti Klevis Balliu dhe sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata.
Dy ditë më parë, gjatë një konference për mediat Partia Demokratike publikoi disa dokumente të Autoritetit Kombëtar të Rrugëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës, që sipas saj, faktojnë se projekti teknik për Unazën e Re, që i është dhënë kompanisë “Ave Consulting” është jo i plotë dhe se i mungon studimi topografik.
Sipas selisë blu, këto fakte e bëjnë të pavlefshme lejen e ndërtimit të këtij projekti.