Partia Demokratike nuk do i njohë zgjedhjet e 25 Prillit. Ky vendimi është konfirmuar nga kryedemokrati Lulzim Basha gjatë mbledhjes së ditës së sotme me kryetarët dhe sekretarët e degëve në rrethe.
Basha iu ka kërkuar atyre të mos bien në kurthin e kundërshtarit duke kërkuar të mblidhen sa më shumë fakte për manipulime të procesit zgjedhor.
Kreu i PD është shprehur se javën e ardhshme do të nisë një tur nëpër çdo degë të PD nëpër Shqipëri për t’u njohur nga afër me këto prova.
“PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Javën e ardhshme do të nis një tur në çdo degë të PD-së”, ka deklaruar Basha.
Basha ka folur edhe në lidhje me zërat kundër tij në PD që i kanë kërkuar dorëheqjen pas rezultatit të zgjedhjeve.
Basha është shprehur se do të deklarohet në ditët në vazhdim në lidhje me pozicionin e kryetarit. Kreu i PD ka theksuar se nëse do jetë apo jo ai, demokratët duhet të vazhdojnë të dokumentojnë vjedhjen e votës dhe çdo gjë që i shërben procesit që do të nisë.
Ky është takimi i parë i Bashës me krerët e degëve pas humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit.