Partia Demokratike i kërkon deputetit të PDIU që të dorëzojë mandatin dhe të shkojë para drejtësisë. Në një deklaratë për mediat në ditën e sotme, PD thotë se është bërë një javë që kur Rakipi aksidentoi për vdekje Seit Sorrën dhe u largua nga vendi i ngjarjes duke kryer një vepër penale, e cila normalisht dënohet deri në 1 vit burg.
PD aludon për lidhjet e ngushta të deputetit Rakipi me Edi Ramën dhe sipas saj është kjo arsyeja që ndaj tij nuk po vepron drejtësia.
“Partia Demokratike i bën thirrje deputetit të heqë dorë nga mandati dhe të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë e të mbajë përgjegjësi para ligjit. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë mbrojtjen speciale qe i jep mikut te tij, e të lejojë hetim të plotë e te pandikuar të ngjarjes. Këto jane rastet kur shihet nëse drejtësia funksionon për të gjithë njësoj, apo për miqtë e kryeministrit ka favorizime dhe paprekshmëri”, shkruhet në deklaratën e Partisë Demokratike.