Stevo Pendarovski mund të jetë kandidati konsensual i LSDM-së dhe BDI-së në Maqedoni.
Sipas sondazheve të agjencive të angazhuara për opinionin publik nga partia e Kryeministrit Zoran Zaev, Pendarovski ka rezultuar si më i votuari tek qytetarët në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe komunitetet e tjera etnike, njofton agjencia INA, që citon burime pranë LSDM-së.
Ai pritet të shpallet sot zyrtarisht, pasi kryeson listën e pesë kandidatëve që kanë kaluar raundin final.
Pas tij radhitet ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, ndërsa i treti është ministri i brendshëm Oliver Spasovski që ka gëzuar mbështetjen më të madhe nga anëtarësia e LSDM.
Pendarovski aktualisht është koordinator i qeverisë në NATO, ndërsa njihet si ish-kandidat për president në zgjedhjet e kaluara presidenciale.
Ndërkohë në kampin tjetër, partia më e madhe opozitare VMRO- DPMNE e ka zgjedhur Gordana Siljanovskën si kandidate për presidente që para dy javësh.