Ish-futbollisti italian Gianfranco Zola ka qenë dikur shënjestër e grupeve kriminale që donin ta merrnin peng. Zbulimin e bën për mediat italiane një prej pjesëtarëve të grupit, njëherësh ish-futbollist, Fabrizio Maiello. Sot 56 vjeç, në vitet ’90 Maiello luante futboll me skuadra të vogla në kampionatin italian dhe pas një dëmtimi që i ndërpreu karrierën, iu fut botës së krimit.
Por plani dështoi pasi Maiello e humbi dhe në vend që ta grabiste, i kërkoi autograf. Në kohën kur duhet të ndodhte pengmarrja, në vitin 1994, Zola luante te Parma, klubit që si pronar kishte biznesmenin miliarder, Callisto Tanzi.
Maiello kujton: “E ndiqnim prej javësh, në të gjithë vendin. Plani ishte që do ta përplasnim me makinë dhe do ta merrnim me vete. Do ta mbanim vetëm për dy ditë, asokohe pengmarrjet ishin në modë në të gjithë Italinë. E kishim ndjekur në një stacion karburanti me dy makina dhe kur ai ndaloi për të furnizuar mjetin e tij, zbritëm. Ai na u afrua duke qeshur dhe na pyeti nëse donim autograf prej tij. Po qeshte dhe unë thjesht nuk munda ta bëja”.
Maiello shton: “Shkëmbyem disa fjalë dhe i thashë që isha tifoz i flaktë i tij. Më bëri autograf te karta e identitetit. Kur ia afrova dokumentin ai pa që kisha një tatuazh në krah – një yll me pesë cepa – një simbol që tregonte se kisha qenë në burg, është një shenjë që bëjnë kriminelët kur janë brenda. Ai u largua me shpejtësi, hipi në makinë dhe iku. Të tjerët më thoshin “duhet ta bëjmë tani”, por unë thjesht nuk munda”.
Maiello, i cili ishte pjesë e grupit Magliana, me qendër në Romë, më pas u largua nga bota e krimit dhe tani punon si kopshtar.