Aktualitet “Për Qerimin nuk pati asnjë shpresë”, kush ishte 24-vjeçari shqiptar që u...

“Për Qerimin nuk pati asnjë shpresë”, kush ishte 24-vjeçari shqiptar që u shua në aksidentin tragjik në Itali

Mediat italiane kanë identifikuar të riun shqiptar, i cili humbi jetën mbrëmjen e së dielës në një aksident rrugor në Itali. Viktima është 24-vjeçari Qerim Gjepali.

I riu, i cili ka lindur në Durrës, jetonte prej disa vitesh në Massa Lombarda.

Ai po udhëtonte si pasagjer në një Mercedes CLK atë të diel tragjike. Përplasja me një pemë ishte fatale për Qerimin. Ai humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. Të plagosur mbetën shoferi, një 23-vjeçar po ashtu me origjinë shqiptare dhe një 19-vjeçar rumun që udhëtonte në sediljen e pasme.

Shoferi u dërgua në spital me helikopter, ndërsa rumuni pësoi dëmtime më të lehta. Dinamika e aksidentit mbetet ende për t’u përcaktuar nga ana e policisë në Imola.

Megjithatë ajo që është e qartë është se përplasja me pemën ka qenë shumë e fortë. Aq e fortë saqë për Qerimin nuk pati asnjë shpresë.

Për momentin të gjitha pistat janë të hapura. Që nga mosfunksionimi i mjetit, tek një sëmundje e papritur e drejtuesit e deri tek një manovër për të shmangur ndonjë pengesë në rrugë.

Policia pritet që të përcaktojë shpejtësinë me të cilën udhëtonte mjeti në momentin e aksidentit.

“Deri më tani duket se nuk është përshirë asnjë makinë tjetër. Po punojmë për të rindërtuar dinamikën e saktë të aksidentit. Do të kuptojmë më shumë pas rezultatit të testeve toksikologjike dhe të alkoolit, të cilave iu nënshtrua shoferi”, u shpreh policia e Imolas.

Lajmi tragjik i aksidentit u shpërnda menjëherë në fshatin ku jetonte Gjepali. Ai njihej shumë mirë aty duke shkaktuar trishtim. Të tjera media raportojnë se deri më tani nuk është vendosur se kur do të zhvillohet ceremonia mortore. Gjepali prej 2016 kishte shkuar në Massa Lombarda. Po ashtu, edhe familja e tij jetonte në bashkinë e Ravenës.