Gjatë një takimi me gazetarët në Velipojë kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë mbi përfshirjen e Majlinda Bregut në qeverinë e tij të re.
Kryeministri Rama mohoi kategorikisht mundësinë që Majlinda Bregu të përfshihej në qeverinë e tij, duke shtuar se përsa i përket negociatorit do të gjejnë dikë që e bën punën më mirë.
“Nuk ka pas asnjë plan imagjinar që të kemi Majlinda Bregut në qeveri. Për sa i përket negociatorit pastaj ne do ta trajtojmë se kush e bën këtë punë më mirë, por dhe në këtë rast duhet konsensusin e opozitës”-tha Rama.
Rama tha gjithashtu se nuk ka një trajtim të diferencuar të Bregut nga ana e tij, në raport me demokratët e tjerë.
“Unë nuk shoh asnjë trajtim të diferencuar. Është një histori mediatike kjo. Komisioni i integrimit ka qenë i opozitës, do të jetë i opozitës. Opozita do të ketë të drejtën të zgjedhë kryetarin e Komisionit të Integrimit. Bregu nuk ishte e zgjedhura jonë, por ishte e opozitës. E caktuan ata përfaqësuese në Komision. Nuk kemi ne “të përkëdhelur”. Unë flas edhe për Patozin dhe situatën e tij në PD, edhe pse nuk kam asnjë pikëputhje me të. Ne shpresojmë që edhe kreun e ri të komisionit të integrimit ta zgjedhim me konsensus, pasi ky është komision i të gjithëve, jo i një partie”, u shpreh kryeministri Rama.