Pas përhapjes së panikut përmes lajmeve të rreme për koronavirusin, Prokuroria nis hetimin për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, thotë se duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të koronavirusit, në vendin tonë, ka filluar kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.
“Objekti i hetimit lidhet me situatën e krijuar si rezultat i hapjes së informatave për të cilat dyshohen se janë të rreme, për shkak të natyrës sensitive që paraqet përhapja e këtyre informacioneve në masën e gjerë”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, prokuroria thotë se “duke treguar impenjimin maksimal në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit është penalisht e dënueshme”.
Prokuroria njofton se vijon të ndjekë me interes çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve dhe nga ana tjetër, mirëpret çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.