Dy javët e fundit të merkatos së verës janë të destinuara të prodhojnë surpriza sensacionale, mes të cilave mund të ishte qëndrimi te Juventusi i Gonzalo Higuain. Një gjë që deri para disa javësh dukej pothuajse e pamundur. Klubi bardhezi ka dashur ta shesë “Pipita”, por edhe Mandzukic e Dybala gjatë verës, por kur kalimi i ditëve çon pashmangshëm në afrimin e “gongut” final, që do t’i japë fund merkatos, “Zonja e Vjetër” e gjen veten me të tre sulmuesit.
Nga të tre, kroati është ndoshta më i lehtë për t’u skarcuar. Dëshira për t’i ndarë rrugët është e dyanshme. Në gjurmët e kroatit ka qenë gjithmonë Bayern Munich (i cili ka mbyllur huazimin e Coutinho). Shumë më e ndërlikuar është situata e krijuar me Dybala. Argjentinasi ishte afër Manchester United, pastaj u afrua me Tottenham, ndërsa sot është akoma te Juventusi, pasi ai vetë vendosi të qëndrojë në Torino. Me mbylljen e merkatos në Angli, për “Joya”, një nga idhujt e tifozëve të Juventusit, mbeten në thelb vetëm dy opsione: Interi (mund të ketë një shkëmbim të zhurmshëm me Icardi) dhe PSG (opsioni që ai ndoshta preferoi). E sigurt është se Dybala do të kërkojë në klubin e tij të ardhshëm jo më pak se 10 milionë euro pagë në sezon, por kjo bën që situata të mos jetë vërtet rozë.
Ai që dukej më larg Juventusit ishte Gonzalo Higuain, sot ka ndryshuar pozicion. Domethënë, ai që më së shumti dukej i destinuar për lamtumirë, mund të mbetet te kampionët e Italisë. Parasezoni i mirë, por edhe mungesa e klubeve të gatshme për të bërë marrëzi, për t’i paguar pagën e lartë argjentinasit, ka bërë që shanset e tij të qëndrimit të rriten. Ndër klubet që mund ta mirëprisnin “Pipita” ishte Roma deri disa orë më parë, por rinovimi i Dzeko e hedh poshtë përfundimisht këtë mundësi.