Kreu i qeverisë e ka cilësuar si të turpshëm sulmin që Presidenti Ilir Meta i ka bërë përfaqësuesve ndërkombëtarë ditët e fundit.
Kryeministri Rama tha se ajo që po u bën Presidenti i vendit përfaqësuesve të vendeve partnere, është e turpshme dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës, si dhe i ka kujtuar Kanunin, duke thënë se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
“Ajo që ai bën ndaj përfaqësuesve të vendeve partnere në Shqipëri, është jo vetëm e turpshme për të gjithë ne, jo vetëm në kundërshtim me Konventën e Vjenës që mbron integritetin fizik dhe dinjitetin e çdo diplomati si përgjegjësi e shtetit ku është, por është e turpshme edhe për paraardhësit tanë që kur kanë shkruar Kanunin që thotë se shtëpia e shqiptarit, është e Zotit dhe e mikut… Turp, turp, turp!
Sidoqoftë ne do të jemi 100% në një linjë me SHBA, jo se na e kërkojnë ata por se ne e bëjmë për shtetbërjen këtu dhe për gjeneratat e tjera, sepse kjo është rruga e duhur.
Që në Shqipëri të bëhet reforma në drejtësi , të pastrohet llumi nga pallati i drejtësisë, që krimi i organizuar të mos guxojë të dalë nga foletë si në gjithë botën, dhe të shfaqet me Lamburghini tek Blloku, nëpër plazhe me pistoleta, tek dera e X apo Y dhe t’ia marrë me zor pronën në bregdet apo në formën e disa pronarëve të rinj që janë ca pensionistë të mjerë që kanë vënë vetëm emrin aty…Këtë do ta bëjmë sepse e kërkon e ardhmja jonë dhe dinjiteti i secilit prej nesh dhe i kësaj force politike””, u shpreh Edi Rama.