Turma e mbledhur para në mbështetje të kryebashkiakut Erion Veliaj teksa Gjykata e Posaçme vlerësonte masën e sigurisë të vendosur ndaj tij, është bërë “mollë sherri” në Kuvend.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi Policinë e Shtetit pasi nuk pati asnjë reagim përkundrejt simpatizantëve të PS dhe punonjësve të Bashkisë së Tiranës, të cilët qëndruan për orë të tëra përpara GJKKO për të shprehur mbështetjen e tyre kundrejt Veliajt.
Bardhi po ashtu akuzoi Ministrin e Brendshëm për mosveprim në këtë situatë.
“Dua të denoncoj precedentin e djeshëm ku një turmë ka pushtuar ambientet e jashtme të SPAK dhe nuk ka pasur polici për grumbullimin e paligjshëm. Mungonte policia atje, teksa një grup personash të filmuar dhe identifikuar, drejtorët e bashkisë së Tiranës, urdhëronin punonjësit e administratës që të dilnin në mbështetje të një personi të akuzuar për miliona euro vjedhje. Jo vetëm që nuk ka pasur asnjë veprim për tubimin e paligjshëm dhe mungesë të policisë duke mos vepruar, por u pengua edhe transferimi i të arrestuarit për korrupsion për ta dërguar anë paraburgim”, tha Bardhi nga ulësja e tij në Kuvend.
Në vijim ai i quajti “batakçinj” drejtorët e bashkisë që sipas tij protestuan për të mbrojtur korrupsionin.
“Duhet të merren masa që nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe deri më poshtë, kjo nuk ka ndodhur kurrë, këta njerëz paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës. Nuk kemi dëgjuar asnjë procedim penal ndaj drejtorëve batakçinj, hajdutë, të Bashkisë së Tiranës për protestën e paligjshme dhe bllokimin, dhe asnjë masë ndaj këtyre personave që bënë shkeljen dhe bllokuan për orë të tëra rrugë të Tiranës”, nënvizoi Bardhi.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ju kundërpërgjigj duke thënë se kemi të bëjmë me një grumbullim të simpatizantëve të kryebashkiakut Veliaj dhe jo protestë, si në rastet e Partisë së Lirisë, apo atyre në mbështetje të Sali Berishës.
“Nuk është e vërtetë, dje simpatizantët janë grumbulluar te SPAK për të mbështetur kryetarin e Bashkisë. Nuk jemi në kushtet e një lajmërimi për protestë, por në kushtet kur këta simpatizantë donin të ishin prezent në dhënien e vendimit. Kur u grumbulluan, u dërguan edhe forcat e Policisë atje deri në fund të vendimit. Është e vërtetë që për grumbullim të menjëhershëm pati bllokim, por nuk është e vërtetë që Policia e Shtetit nuk mori masa, por shkuan për të siguruar perimetrin e SPAK. Menjëherë pas grumbullimit kanë shkuar efektivë të policisë. Dhe për të theksuar, dje nuk ka pasur asnjë incident, e theksoj asnjë dëm gjatë atij grumbullimi dhe asnjë shkelje”, ia ktheu Hoxha-Bardhit.