Njerëzit e thjeshtë janë si shpirti i pastër i një komuniteti a shoqërie, edhe pse largohen nga kjo jetë, ngelen të përjetshëm nëpër memoriet edhe të atyre brezave që nuk kanë patur fatin të përjetojnë kohën e tyre, por i takojnë ata duke u përkujtuar edhe nëpër biseda të ndryshme nga bashkëqytetarët e tyre. Një ndër këta është edhe ish këngëtari memaliot Petref Goxha, i cili edhe pse ndërroi jetë në një moshë shumë të re, nuk u harrua, por me zërin e tij është i mirënjohur, jo vetëm tek artdashësit memaliotë, tepelenas por ka patur fatin të dëgjohej nëpër skenat e jugut.
U lind më Sukë të Përmet më 5 shtator 1947-të me prindër Xhemile dhe Teme Goxha. Në vitin 1950-të bashkë me familjen e tij, vendosen me banim Kërrab të Tiranës. Në vitin 1952, si shumë familje nga vende të ndryshme të vendit, edhe familja Goxha iu drejtua Memaliajt, për një jetë më të mirë. Të dy prindërit e tij punonin në mienierën e qymyrgurit; babai si minatorë dhe nëna e tij, në repart të jashtëm.
Petrefi ishte i pari nga fëmijët dhe krahas mësimeve edhe pse i vogël në moshë, kohën e lirë ja përkushtonte familjes duke ndihmuar në punët e tjera. Arsimin fillor, e filloi në vitin 1954. Atë 7-vjeçar dhe atë të mesëm, e kreu po në qytetin e Memaliajt. Punon për disa muaj si këpucar përkrahë këpucarëve të vjetër si: Rustem Beshiku, Eduart Hysi, etj. Ndërsa shërbimin ushtarak, e kreu përgjatë viteve 1966-69, në një repart kufitar të rrethit të Ersekës. Në ato vite, shokë ushtrie kishte Muhamet Kokoshin, Altiler Shehu, Asllan Kotori, të cilët ishin nga rrethe të ndryshme të vendin dhe kalonin si vëllezër. Gjithashtu, shërbimin ushtarak, e kreu edhe me shokun e tij të fëmijërisë, Astrit Malka, ku ky i fundit, pasi kreu shërbimin ushtarak, u vesh oficer me Gardën e Shtetit, ndërsa Petrefi nuk pranoi të vishej oficer edhe pse iu lutën, por ai vendosi të rikthehej në Memaliaj. Pasi u kthye, shkoi në Sarandë, për të kryer një kurs për xhenerik.
Petrefi, është një ndër pionierët e parë të këngës, jo vetëm në qytetin e Memaliajt, por edhe në rrethin e Tepelenës. Ai ka filluar të këndoj qysh në fëmijërinë e tij. ku edhe u ngjit për herë të parë në skenë dhe u rrit bashkë me këngën, duke e shoqëruar me pasionin e tij të pazëvendësueshëm.
Fillimet e tij si këngëtar, i pati qysh në klasë të parë, ku bashkë me bashkëmoshatarin e tij Shkëlqim Pashollarin, këndonin në Shtëpinë e Pionierit. Udhëheqësi i parë i tij artistik, në atë vite ishte, Spiro Kreci dhe më pas Fatmir Meçe. Ndërsa drejtor i Pallatit të Kulturës, i asaj kohe, ka qenë Spiro Taçi, i pari për atë institucion kulturorë të qytetit të Memaliaj.
Ai u rrit shumë shpejt profesionalisht dhe merrte pjesë si këngëtarë në çdo shfaqje që jepte trupa e Estradës së Pallatit të Kulturës dhe e Ansamblit të klasës Punëtore të qytetit të Memaliaj. Aktivitetin e tij si solist e vazhdoi edhe me Estradën e ushtrisë së Ersekës, kur ai shkoi për të kryer shërbimin ushtarak përgjatë viteve 1966-69-të. Pasi kthehet nga ushtria, krahas riaktivizimit të tij tek trupa e Pallatit të Kulturës, në të njëjtën kohë fillon të luaj futboll me ekipin e futbollit të Minatorit dhe vazhdon të luaj deri në fund të vitit 1971. Në vitin 1972, bëhet pjesë e Fanfarës së qytetit të Memaliajt që sapo ishte hapur, duke luajtur në instrumentin Capare, sot Pjata (apo Pjastrave siç i quanin memaliotët në atë kohë), por kontribut ky që mbaron në vitin 1980-të, pasi më 16.12.1981, ndërron jetë në moshë shumë të re, nga një sëmundje e pashërueshme. Përgjatë kohës që ai aktivizohej si solist me aktivitetet në Pallatin e Kulturës, luante edhe si futbollist me ekipin e Minatorit, ka punuar edhe si mekanik në Parkun e Mallrave.
Këngëtari Petref Goxha mbahet mend edhe si një prind shembullor dhe i përkushtuar për familjen e tij. Nga martesa që ai krijoi familje me përmetaren Rukie Shabani, erdhën në jetë edhe dy djemtë e tij Arbeni dhe Aldmiri. Të dy djemtë e tij, kishin pasion futbollin dhe stërviteshin në klasat sportive të futbollit memaliot. Nuk jam i sigurt, por më vonë, më duket se kanë luajtur futboll me ekipin e Përmetit. Vlenë të përmendim, se Petref Goxha, ishte rritur në një familje, ku bashkë me vëllezërit e tij, Përparimin, Astritin, Spartakun dhe Vladimirin, kanë luajtur futboll me ekpin e Minatorit dhe njihen si një ndërr ato familje, që bëjnë pjesë tek dinastitë e futbollit tepelenas. Shprehem kështu, pasi i kam përfshirë tek shkrimi “Dinastitë e futbollit tepelenas”, të cilin do ta publikoj në ditët e ardhshme. Ndërsa në aktivitetet e ndryshme të Pallatit të Kulturës, është aktivizuar edhe i vëllai i tij më i vogël, Përparimi, i cili ka debutuar përkrah vëllezërve Muharrem dhe Mehdi Malkës, etj. Po ashtu, edhe motrat e tij, Hysnia, Suzana dhe Shpresa, janë aktivizuar me aktivitetet kulturore të shkollës së mesme që zhvilloheshin në Pallatin e Kulturës në atë kohë.
Babai i tij, Temeja, ka qënë një ndër minatorët e parë të minierës së Memaliajt dhe sot kujtohet si një ndër veteranët e saj, ndërsa nëna e tij, Xhemilja, përveç punës që ka bërë në repartet e sipërfaqes së minierës, mbahet mend edhe si nënë heroinë, titull ky që u jepte sistemi i kaluar, atyre nënave që kishin shumë fëmijë. Të dy, si xha Temen dhe nënë Xhemilen, i shikoja me shaminë e veteranëve në qafë, në çdo 5 Maj apo 28-29 Nëntor, pasi babai i Temes, Mehmet Goxha, ka qenë partizan në radhët e Brigadës se 6- të Sulmuese dhe emri i tij është edhe në një lapidar në qytetin e Përmetit. Ndërsa i vëllai i madh i Petrefi, Hysen Goxha, është gjithashtu një ndër veteranët e minierës pasi ka punuar në Sektorin e I-rë, aty ku ka qenë arganella dhe më vonë xhenerik ne Parkun e Mallrave. Në profesionin e tij, vleresohej si një ndër më të mirët, deri në momentin kur shkoi për të kryer shërbimin ushtarak ne Librazhd, ku u vesh edhe oficer. Pasi lirohet nga kjo detyrë, fillon punë si xhenerik autobuzash në Metalirgjik. Përveç, Petrefit dhe Hysenit, në Parkun e Mallrave kanë punuar edhe dy vëllezërit e tjerë; Përparimi, si shofer kamioni, dhe Mustafai, si mekanik. Ndërsa i vëllai më i vogël, Vladimiri, ka punuar në repartet e sipërfaqes së minierës.
Për të mësuar më shumë rreth jetës së Petref Goxhajt, ish drejtori i “Pallatit të Kulturës” së Memaliajt, z. Xhafer Kuçi shprehet: “Petrefi e ka nisur rrugën e këngës qysh në shkollën 7-vjeçare.dhe kompozitori i tij i parë, ka qenë Spiro Kreci, e deri sa u bë solisti kryesor i “Ansamblit të Klasës Punëtore” dhe solisti i Estradave. Repertori i tij ka qenë jo vetëm i muzikës së lehtë, por edhetë asaj popullore. Ka marrë pjesë në takime të Ansambleve të Klasave Punëtore që zhvilloheshin në rangë kombëtar. Në këto takime, është vlerësuar disa herë me çmime speciale. Në ato vite, Petrefi njihej si një zë i çmuar i qytetit tonë e më gjerë, ashtu siç kishin edhe qytetet e tjera këngëtarët e tyre të mirënjohur. Vetë Agron Llaka e ka bërë publike nëpërmjet një interviste, se ishte Petrefi ai që e inspiroi dhe i dha mbështetje për të provuar talentin e tij si këngëtar. Gjithë kjo, falë emocioneve që përjetoi Petrefi kur dëgjoi zërin melodioz të Agronit dhe ishte po ai moment që u bë edhe një pikënisje për karrierën e suksesshme të këtij të fundit. Ai ishte një i ri gazmor, i futur në botën e librit, mik i madh i bibliotekës, shumë i apasionuar në sportin e futbollit, por edhe pjesëmarrës aktiv e kurajoz në debatet letrare artistike. Fatkeqësisht, shkoi nga kjo botë, në vitin 1981, në kulmin e karrierës së tij. Për kontributin e tij 20-vjeçar në lëvizjen amatore si këngëtar por edhe si instrumentist i fanfarës muzikore, Petrefi është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i kohës me medaljen “Naim Frashëri” i klasit të III-të”. Të gjitha këto i ka shprehur edhe tek shkrimi tij: “Petref Goxha – Pionieri i këngës”, dhe në një shkrim tjetër, kushtuar lëvizjes amatore të qytetit të Memaliajt.”
Ndërsa bashkëmoshatari i tij, Sulo Hodo shprehet: Petrefi, ka punuar si mekanik në riparimin e autobusëve dhe automjeteve të tjera, që i mbulonte “Parku i Mallrave”. Njëkohësisht, është aktivizuar edhe si këngëtar dhe instrumentist me trupën e Pallatin të Kulturës. Gjithashtu, ka luajtur futboll edhe me ekipin e “Minatorit”. Ashtu siç ka filluar të këndojë qysh në moshë të vogël, po në këtë moshë, ka filluar edhe sportin, e kam fjalën për atë të boksit, ku stërvitej edhe dajua juaj Astrit Malka, Shkëlqim Pashollari, une dhe të tjerë; sport ky që u mbyll mbas disa muajsh, pasi u konsiderua i ndaluar nga sistemi i kohës. Ndërsa në formimin e tij si këngëtar, ka patur si kompozitor të parë, Spiro Krecin. Petrefi bashkë me Shkelqim Pashollarin, shquheshin nga të tjerët, për zërin e tyre të mrekullueshëm. Shkëlqimi rridhte nga një familje me origjin nga Zhepova e Permetit, por fatkeqësisht; politika e diktaturës që gjeti zbatim me anë të besnikëve të saj, e dëbuan familjen e tij, duke e rikthyer në fshatin nga ku erdhën. Ashtu si Petrefi, Astrit Malka, unë e shumë memaliotë të tjerë, u hidhëruam shumë nga largimi me forcë që i bënë familjes së tij. Më vonë, Petref Goxha këndonte për trupën e Pallatit të Kulturës së qytetit tonë, ndërsa Shkëllqim Pashollari, këndoi në Festivalin e 11-të të Këngës, me këngën “Dhoma 23”, me tekst të Betim Muçës dhe kompozitor, Flamur Shehun. Shkëlqimi është i datëlindjes 1947.”
Janë të shumtë bashkëqytetarët që duan të ndajnë kujtimet e tyre, por edhe këto që përfshimë në këtë shkrim, e plotësojnë më së miri portretin e tij. Si e tillë, më ngelet të theksoj se: Të gjithë bashkëqytetarët, edhe brezat që se kanë jetuar kohën e tij, ndihen krenar për kontributin që ka dhënë Petrefi dhe familja e tij!
Petref Goxha do të kujtohet dhe nderohet edhe nga brezat e ardhshëm memaliotë. si një nderr zerat e atyre këngëtarëve që ja shtonin vlerat skenës së qytetit tonë dhe jetojnë gjatë në memorien e një komuniteti dhe më gjerë.
Mirënjohje dhe i paharruar kontributi dhe kujtimi i tij!
Edmond Ismailati
New York City