Dy punonjës policie të komisariatit të policisë së Vlorës janë pezulluar nga detyra, ndërsa një tjetër është arrestuar pasi u kap i dehur në timon.
Dy efektivët akuzohen se kanë favorizuar kultivimin e narkotikëve.
Janë pezulluar nga detyra L.D., me detyrë N/Specialist (SPZ) për Rendin në Stacionin e Policisë Selenicë të Komisariatit të Policisë Vlorë
M.A., me detyrë Specialist për Rendin (SPZ) në Stacionin e Policisë Selenicë, të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Ata janë në hetim në kuadër të procedimit penal, viti 2021, për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 284 dhe 248 i Kodit Penal.
SHÇBA ka bërë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë e cila kishte caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”
Polici i dehur
Nga ana e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Korçë-Elbasan u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësit të Policisë S.SH., pasi rreth orës 12:30, në datë 13.10.2021, në vendin e quajtur ish-Pazari në qytetin e Ersekës, duke drejtuar mjetin e tij është aksidentuar, duke u përplasur me murin rrethues të një banese.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se automjeti ishte pa dokumentacionin përkatës dhe targat i përkisnin një automjeti tjetër të çregjistruar. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga testi i kryer me aparat Drager, punonjësi i policisë S.SH. ka rezultuar në gjendje të dehur.