Mbrëmjen e sotme në ABC Neës në bisedë me skype për “Byro Politike” me gazetaren Juli Xhokaxhi, mjeku Pëllumb Pipero u shpreh optimist për situatën e pandemisë së koronavirusit që është duke e kaluar edhe Shqipëria.
Sipas mjekut Pipero situata do të fillojë të lehtësohet javën që vjen, dhe më shumë akoma në javën e tretë të prillit.
I pyetur për gjendjen shëndetësore të Prof. Dhimitër Kraja, mjeku Pipero nuk pranoi të jepte detaje, por tha se gjendja e profesorit paraqitet shumë e mirë.
Pëllumb Pipero: Gjendja shëndetësore në spitalin infektiv ka një dinamikë të madhe. Nesër do të kemi raste të tjera të të shëruarve. Kemi pacientë të tjerë që janë rënduar gjithashtu, 4 prej tyre janë në gjendje kritike. Mjekët e spitalit infektiv po bëjnë të pamundurën për ti rikthyer në jetë. Nuk më shqetëson fakti që tek-tuk kemi raste sporadike, është një gjë pozitive në aspektin epidemiologjik është pozitiv. Ecuria e pandemisë këtu tek ne fatmirësisht ka ecur mirë, kurba ka qenë në një rritje graduale dhe jo ekspancionale.
Juli Xhokaxhi: Si është gjendja e prof. Krajës?
Pëllumb Pipero: Do ju lutesha që të jemi brenda etikës mjekësore të mos përmendim emrat por mund t’ju them se gjendja e tij është shumë e mirë. Jo rastësisht personeli mjekësor është infektuar nga ky virus gjithkund në botë ka patur edhe humbje jete shpresoj të mos ndodhë tek ne. Edhe ne mjekët njerëz jemi dhe gabojmë.
Juli Xhokaxhi: Kur mund të shohim një situatë më të qartë të situatës?
Pëllumb Pipero: Gjithnjë kam menduar se kjo javë do jetë maksimumi i mundshëm i rasteve në një ditë, java tjetër do jetë e qëndrueshme, besoj që në javën e tretë pandemia fillon e zbutet dhe kalon në regres dhe në vendin tonë. Shpresoj që kjo pandemi të respektojë këto ligje thelbësore të epidemive gjithsesi është një virus me shumë të panjohura, shpresoj të jetë kështu. Besoj që gradualisht do fillojë lehtësimi gjithashtu kam edhe një mesazh: Pensionistët dhe të sëmurët kronikë duhet të vazhdojnë të kufizojnë lëvizjet edhe më gjatë, gjithashtu shqiptarët që janë kthyer nga vendet e tjera këto ditë, ata duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë.
Juli Xhokaxhi: Në rast se bota do vazhdojnë ende me pandeminë a mund të bëjmë jetën tonë e të vazhdojmë të lirë?
Pëllumb Pipero: Natyrisht nëse Evropa nuk do jetë e qetë, as Shqipëria nuk do jetë e qetë. Bota është e hapur, Shqipëria gjithashtu. Në këtë situatë nuk mjafton vetëm një vend i Evropës ta mundë pandeminë, duhet të jenë të gjitha bashkë.