Mjeku Pëllumb Pipero, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se deri tani, “14,6% e mostrave kanë rezultuar pozitivë”, gjë që, sipas tij, “është një përqindje pak a shumë e njëjtë me vendet e tjera”.
“Tashmë kemi hyrë në javën e katërt. Për mendimin tim, në rast se rastet janë gjurmuar hap pas hapi, rastet e reja me shifra 11, 15 apo 13, janë trend pozitiv brenda të keqes së madhe që ka kjo epidemi. Java e dytë e prillit do të flasë shumë. Në rast se gjurmimi i rasteve vijon me kujdes dhe nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë masat e qeverisë dhe këshillat e mjekëve, unë besoj se java e dytë e prillit do të na gjejë në fillim të thyerjes së kurbës”, theksoi Pipero.
“Fakti që kemi një numër gradual, jo dyfishin apo trefishin e rasteve ditë pas dite, do të thotë se masat kanë dhënë efekt”, shtoi mjeku.
Në lidhje me kurën që përdoret për të infektuarit me COVID-19, Pipero sqaroi: “Kemi respektuar skemat e mjekimit më të përparuara që janë zbatuar në Kinë, Itali dhe vendet e tjera. I kemi dhënë një ose dy antibiotikë, oksigjenoterapi… është mjekim kompleks dhe jemi treguar të kujdesshëm”.