Sport Pirlo para debutimit: Presim një sulmues, por Suarez vështirë të vijë

Pirlo para debutimit: Presim një sulmues, por Suarez vështirë të vijë

Andrea Pirlo ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes së parë të kampionatit që Juventusi do të luajë ndaj Sampdorias në “Allianz Stadium”, sfidë speciale për ish fantazistin italian që do të drejtojë për herë të parë nga pankina.

Si ndihesh për debutimin në pankinë?

Unë jam shumë mirë, por e rëndësishme është që të ndihen mirë lojtarët, në prag të ndeshjes së nesërme. Kemi punuar shumë këtë javë dhe kam mjaftueshëm futbollistë në dispozicion, për të përdorur zgjidhje të ndryshme gjatë sfidës. Për dëmtimet e Dybalës dhe De Ligt jemi përgatitur më herët, pasi e dinim që nuk do t’i kishim, por kemi organikë të plotë.

Cila është ideja e lojës dhe moduli që do të përdorni nesër?

Kemi provuar diçka ndaj Novarës, ndërsa gjatë javës kemi praktikuar edhe zgjidhje të tjera. Na u dëmtua Alex Sandro, por nesër do të shohim kush do të luajë në vend të tij.

Jeni akoma pa një sulmues pykë…

Jemi të gjithë duke e pritur. Merkatoja sapo ka filluar dhe ka ende edhe shumë kohë. Dihen vështirësitë për t’u kompletuar dhe sigurisht që nuk e kem ime nxitim, pasi në organikë kemi edhe zgjidhje të tjera.

Sa mund të ndikojë koha e shkurtër e përgatitjeve?

Ishte pak e çuditshme këtë vit dhe unë pata shumë pak kohë për të punuar, duke qenë se ishte edhe një angazhim i përfaqësueseve. Megjithatë nuk shoh probleme, pasi kështu ka qenë për të gjithë.

Cilat janë siguritë dhe dyshimet që keni në skuadër?

Dyshime nuk kam, ndërsa siguri kam shumë, pasi drejtoj Juven, një skuadër të mbushur me kampionë, që janë të gjithë të disponueshëm dhe të gatshëm për të bërë mirë detyrat e tyre.

Sa i kënaqur jeni me prurjet e reja?

Jam shumë i kënaqur, pasi Kulusevski dhe Pellegrini e njohin tashmë kampionatin italian dhe janë përshtatur shumë shpejt. Arthur vjen nga La Liga dhe ka nevojë për më shumë punë, por këtu jemi dhe duam ta integrojmë sa më shpejt.

Sa e vështirë do të jetë ndaj Sampdorias?

Do të jetë shumë e vështirë, pasi drejtohen nga një trajner i mirënjohur si Claudio Ranieri. Pres që të luajnë me dy linja shumë të shtrënguara dhe nuk do të na lënë shumë hapësira. Për më tepër duhet të bëjmë kujdes nga kundërsulmet e tyre.

Si do të ndryshojë Juventusi i Pirlos?

Nuk do të ndryshojë shumë, pasi unë dua kontroll të topit dhe sulme të vazhdueshme, por një filozofi të ngjashme kishte edhe Sarri.

A mund ta shohim Suarez me Juven?

Është e vështirë që të jetë qendërsulmuesi ynë, duke qenë se ka shumë pak kohë në dispozicion për të marrë pasaportën.

A mund të luajë Juventusi me dy pyka?

Unë nuk kam thënë asnjëherë se çfarë skeme do të aplikojmë. Ne duam të përshtatim skemën me fubtollistët që kemi në dispozicion dhe tani që nuk kemi asnjë pykë, sigurisht që do të gjejmë një sistem tjetër për t’u përshtatur.