Dy persona u plagosën me thikë mesditën e sotme në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur pas një sherri në rrugën pranë shkollës “Fan Noli”.
Drejtuesi i një mjeti të vogël është konfliktuar me dy drejtues furgonësh të transportit të nxënësve, të cilët kishin bllokuar rrugën që të hipnin nxënësit.
Ai u ka kërkuar të hapin rrugën me pretendimin se kishte urgjencë. Debati ka përfunduar me përdorimin e thikës nga ana e tij, duke goditur dy shoferët e furgonave.
Të dëmtuarit janë transportuar në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 13:35, në rrugën “Qemal Stafa”, dyshohet se për shkak të bllokimit të rrugës, një shtetas ende i paidentifikuar qe qarkullonte me një automjet ka goditur dyshohet me mjet prerës shtetasit A. V, 37 vjeç dhe V. V, 42 vjeç (drejtues mjeti të furgonit të shkollës) të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve“, njoftoi policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit.